Peci falënderon Albin Kurtin për fitoren në Mitrovicë: Trim, i ndershëm dhe sypatrembur

10 nëntor 2025 | 12:42

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxo për Mitrovicën, i cili fitoi garën e balotazhit në këtë komunë, Faton Pecit, ka falënderuar strukturat e të dyja partive, e në veçanti Albin Kurtin për triumfin përball Arian Tahirit të PDK-së.

“Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë”, ka shkruar Peci në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Mitrovicës,

Pas shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, dua t’ju drejtohem me një falënderim të përzemërt, meqë me besimin tuaj më keni dhënë përgjegjësinë më të madhe gjatë gjithë jetës sime politike, të shërbej tashmë si Kryetar i Mitrovicës sonë.

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen, për durimin dhe punën e palodhshme, për angazhimin, për çdo derë të hapur, për çdo takim, për çdo fjalë mbështetjeje. Kjo fitore është e juaja, është e Mitrovicës dhe e gjithë qytetarëve të saj që nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme.

Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para jush, duke ju siguruar se asnjë ditë e këtij mandati nuk do të na shkojë dëm. Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës.

Dua të falënderoj nga zemra strukturat, anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Guxo; vullnetarët, kandidatët, shtabin, të rinjtë dhe të rejat dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë që nuk u ndalën asnjë ditë. Pa ju, pa punën tuaj të palodhur, kjo fitore nuk do të ishte e mundur.

Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë.

Nga sot, Mitrovica do të ketë qeverisje që dëgjon, që reagon dhe që mban fjalën. Buxheti i komunës do të kthehet në projekte konkrete, në infrastrukturë, arsim, shërbime cilësore dhe hapësira të denja për jetën e përditshme. Të rinjtë tanë duhet ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në Mitrovicë.

Para jush zotohëm se:

• Do të jem Kryetar i të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie;

• Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër;

• Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit.

Mitrovica është qyteti i minatorëve – atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin “Me fat”, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqëroj punën tonë të përbashkët për qytetin.

I juaji,

Fatoni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Smajl Latifi fitues i zgjedhjeve në Rahovec ka falënderuar qytetarët…