Peci kërkon nga drejtorët rritje të efikasitetit, transparencë institucionale dhe qasje për të gjithë qytetarët
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin Enis Osmani, ka mbajtur takimin e parë me Bordin e Drejtorëve, me ç’rast i ka uruar ata për detyrën e re dhe u ka dëshiruar suksese në punën e tyre.
Gjatë takimit, Peci ka kërkuar nga drejtorët që të fillojnë menjëherë me angazhimin e tyre, duke evidentuar gjendjen aktuale në secilën drejtori dhe duke përcaktuar tri prioritete kryesore, me qëllim të orientimit të qartë të punës dhe arritjes së rezultateve konkrete për qytetarët.
Kryetari Peci, ka theksuar nevojën për rritje të efikasitetit, transparencë institucionale dhe qasje për të gjithë qytetarët, duke e vendosur shërbimin ndaj qytetarit në qendër të qeverisjes lokale.
Në kuadër të diskutimeve, u theksuan disa çështje prioritare për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përfshirë: rregullimin e komunikacionit, lirimin e trotuareve nga parkimi i parregullt, trajtimin e qenve endacakë, ndërtimin e tregut, hartimin e Strategjisë zhvillimore për Mitrovicën, me fokus Shalën e Bajgorës, si dhe lirimin e hapësirave komunale nga uzurpimet.
Po ashtu, u bisedua edhe për projektet kapitale dhe investimet konkrete që pritet të realizohen gjatë qeverisjes komunale.
Kryetari Faton Peci theksoi se qeverisja komunale synon të sjellë rend, rregull, ligjshmëri dhe meritokraci, përmes institucioneve funksionale dhe profesionale, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet drejtorive për realizimin e objektivave zhvillimore të komunës.



