
Peci: Kosova thyen rekord në mbjelljen e grurit, mbi 74 mijë hektarë të mbjella në vitin 2025
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë ndjekur t martën nga afër ecurinë e korrje-shirjeve në fshatin Sopijë të Suharekës.
Me këtë rast, Peci ka njoftuar se Kosova ka arritur një rekord të ri në sektorin e bujqësisë, me mbi 74 mijë hektarë të mbjella me grurë në nivel vendi për vitin.
“Vitin e kaluar shënuam rekord të të mbjellave dhe rendimentit dhe siguruam bukën e motmotit. Këtë vit kemi thyer rekord të ri. Janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa në vitin paraprak”, ka thënë Peci.
Më tutje, Peci ka theksuar rëndësinë ekonomike të këtij arritjeje. “Marrë në tërësi me një mesatare minimale, Kosova minimalisht ka prodhuar këtë vit mbi 56 milionë euro në vlerë të sasisë së grurit, dhe mbi 74 mijë hektarë në nivel vendi që është rekord i ri në sektorin e bujqësisë”, ka thënë Peci.
Fushata e korrje-shirjeve do të vazhdojë në ditët e ardhshme në gjithë Kosovën, me qëllim të mbledhjes së prodhimit maksimal dhe sigurimin e një viti të frytshëm për fermerët dhe konsumatorët.