Peci: Serbia ende nuk jep përgjigje për të pagjeturit dhe nuk kërkon falje
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka deklaruar se Serbia vazhdon të mos japë përgjigje për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se mungon edhe një kërkimfalje për krimet e kryera.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një aktiviteti përkujtimor në Mitrovicë, ku janë nderuar 104 qytetarë shqiptarë të zhdukur gjatë luftës së fundit. Aktiviteti është organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e të Pagjeturve “Zëri i Prindërve”.
“Sot, përkujtuam 104 qytetarë shqiptarë të pagjetur nga Komuna e Mitrovicës, të zhdukur gjatë luftës së fundit nga okupatori famëkeq serb, së bashku me Shoqatën e të Pagjeturve ‘Zëri i Prindërve’. 104 karrige të zbrazëta, 104 emra për fatin e të cilëve akoma nuk dihet asgjë, 104 trëndafila të bardhë që simbolizojnë pafajësinë e popullit tonë, shënuam këtë datë për të mos lejuar që harresa të mbulojë dhimbjen dhe të vërtetën”, ka thënë Peci.
Pjesëmarrësit kanë marshuar nga oborri i gjimnazit drejt lagjes së boshnjakëve, ku ndodhet një shtëpi e njohur si vend i një masakre gjatë luftës, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë. Aty janë vendosur lule në nderim të viktimave.
Peci ka bërë thirrje për drejtësi për të pagjeturit dhe nderim të përhershëm për të rënët, duke theksuar se zbardhja e fatit të tyre mbetet një nga plagët më të mëdha të pasluftës në Kosovë.



