Peci takohet me homologen nga Shqipëria, bisedojnë për bujqësinë

24 nëntor 2023 | 14:32

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij, ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në takimin e zhvilluar në mes të dy palëve janë diskutuar çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë.

Ministri Peci gjatë këtij takimi, ka thënë se “mbetemi të përkushtuar drejt qëllimit të përbashkët për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e përpunuesit tanë, për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit tanë, këndej e andej kufiri”.

“Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare”, ka thënë Peci, duke shtuar se prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit tanë eksportojnë, “na përfaqësojnë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia”.

Integrimi në politikat dhe mekanizmat e fondeve të paraanëtarësimit në BE, IPA dhe akreditimi për IPARD, mbeten një synim i ministrit Peci. Andaj, ai ka thënë se përmes realizimit të projekteve të përbashkëta e shkëmbimit të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë, do jetë një shtysë pozitive në maratonën e sukseseve të deritanishme.

Ministri Faton Peci bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë edhe qytetin e Beratit ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës dhe kësisoj të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka…