
Peci thotë se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesnin kandidaturën e Gërvallës
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesin kandidaturën për kryeparlamentare të Donika Gërvallës.
“Kam menduar që mund të reflektojë LDK-ja, për shkak se në gjenezë dhe veprimtari, Donika është më LDK-ja sesa këta që sot janë në LDK”,
“E dyta, nuk e kam hequr nga lista e pritjeve as AAK-në, përkundër ballafaqimeve të ashpra që Donika ka pasur me zotin Haradinaj”, ka thënë ai për gazetarë.
Sipas tij, “inati e mposht arsyen në politikë”, duke akuzuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
“Prej sot është e qartë që pretendimi i partive opozitare që problemi i moskonstituimit të Kuvendit është emri i Albulena Haxhiut nuk qëndron. Problemi i opozitës është se kanë hyrë në aranzhmane me grupe të tjera për të parandaluar Qeverinë Kurti 3”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se LV-ja dhe partnerët e saj, ende nuk kanë vendosur se kush do të kandidohet në seancën e radhës.