Pengesat e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë

13 shkurt 2018 | 16:38

Ka më gjatë se dhjetë vjet që kur kanë filluar bisedimet dhe përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Por, ende nuk është kryer as procedura formale e aplikimit.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike për aplikim në këtë organizatë.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se dokumentacioni është i gatshëm, por ende nuk është vendosur së në çfarë modaliteti do të aplikohet.

Dilemat janë në mes të anëtarësimit të rregullt të Kosovës apo anëtarësimit si shtet vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

“Dokumenti i cili tashmë është i përgatitur, quhet ‘Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme’, dokument ky, i cili përfshinë më vete politikat tregtare dhe ekonomike të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i Organizatën Botërore të Tregtisë”, ka thënë Dervisholli.

Kjo organizatë ndërkombëtare ka selinë në Gjenevë të Zvicrës. Funksioni i saj është nxitja dhe vënia në zbatim e ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se gjatë periudhës sa ka udhëhequr këtë ministri, ka pasur mbi dhjetë takime me përfaqësues të vendeve anëtare në OBT.

Ndërkaq, hezitimi për të aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë, sipas saj, ndërlidhet me faktin se pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, mund të kundërshtojnë këtë anëtarësim.

“Na është thënë se edhe nëse aplikoni pa pasur konsensus të plotë të shteteve anëtare, asnjëherë nuk vihet në rend dite. Kështu që, duhet të përgatitet mirë terreni”, ka thënë Bajrami.

Ajo rikujton edhe rastet kur Kosova, përkundër aplikimit, nuk ka arritur të bëhet anëtare e organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë, duke marrë si shembull UNESCO-n (Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim). “Jemi këshilluar, sidomos nga Ambasada Amerikane në atë kohë, që duhet shumë të lobohet para se të aplikohet, në mënyrë që çështja të trajtohet. Dhe jo vetëm të vendosësh një aplikacion, i cili atje ndoshta do të mbulohej nga pluhuri”, ka deklaruar Bajrami për “Radion Evropa e Lirë”.

Lobimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me partnerët ndërkombëtarë për aplikim në OBT, ka filluar më herët dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thotë Sytrime Dervisholli.

Sidoqoftë, Dervisholli shpreson se gjatë këtij viti, Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë. “E kemi parasysh edhe faktin që pastaj negociatat janë të gjata për anëtarësim në OBT dhe mund të marrin kohë disa vite. I kemi shembuj vendet e rajonit, ku procesi i negociatave ka ndodhur deri në 10 vite”, ka thënë Dervisholli.

Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Nga shtetet e rajonit, në vitin 2012, Mali i Zi është bërë anëtar i plotë i kësaj organizate.

Kurse, Kazakistani në vitin 2015 është bërë anëtari i fundit i 162 i Organizatës Botërore të Tregtisë, pas 20 vitesh sa ka zgjatur procesi i negociatave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Alexandre Lacazette do të qëndrojë për të paktën gjashtë…