Pensionimi i parakohshëm e “rinon” policinë, vendosja e kamerave e nevojshme

02 maj 2021 | 08:31

Kryeshefi i Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, thotë se miratimi i Ligjit për pensionimin e parakohshëm do të sillte freski në Policinë e Kosovës pasi do t’i hapte rrugë pranimit të kuadrove të reja.

Hodaj tha se Kosova duhet t’i ndjekë praktikat e shteteve të zhvilluara, ku zyrtarët policorë dalin në pension nga mosha 55-57 vjeç.

“Kjo është problematika e mosarritjes të funksionalizimit të Ligjit për pensionimin e parakohshëm dhe kemi një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë të cilët tashmë janë mbi 60 vjeç dhe kjo nuk ndodh në shtetet dhe në policitë e tjera për shkak se mesatarisht mosha 55-57 është moshë e pensionimit. Unë besoj se është paralajmëruar edhe nga qeveria që Ligji për pensionim të parakohshëm të miratohet shpejt dhe pastaj do të krijohet mundësi për të pranuar kuadro të reja dhe për t’u freskuar radhët e Policisë. Ai ligj vlen edhe për pjesën tonë të hetuesve që kanë autorizim policor dhe do ta zbatojmë edhe ne si inspektorat që t’i dërgojmë në pension ata që tashmë kanë arritur një moshë të caktuar”, tha Hodaj për Ekonomia Online.

Ankesat e qytetarëve kanë bërë që të punohet për vendosjen e kamerave për ta përcjell punën e zyrtarëve policorë. Hodaj thotë se për këtë kanë mbështetje financiare nga partnerët ndërkombëtarë.

“Policia e Kosovës është duke punuar në këtë drejtim, ka një mbështetje edhe prej partnerëve ndërkombëtarë që të financohen fillimisht me disa njësi që kanë kontakte më të shpeshta dhe besoj se janë në rrugë të mbarë që kjo të fillojë të implementohet së shpejti. Natyrisht kjo do ta lehtësonte edhe punën tonë të hetimeve, por edhe qytetarët do të ndihen më të sigurt për shkak se do të mund të dëshmohet çfarëdo lloj sjellja apo konfrontim mes tyre.

Pjesa logjistike dhe materiale jemi gjithmonë në kërkim për t’i shtuar kapacitet tona për të vepruar në mënyrë më efikase, kemi një mbështetje, kemi një buxhet të planifikuar për t’i kryer shërbimet tona natyrisht që kemi nevojë që kjo të shtohet, kemi edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë”.

Në fund, ai thotë se Policia e Kosovës bën përpjekje të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit.

“Ne vazhdimisht bëjmë përpjekje si institucion edhe me partnerët edhe me institucionet e tjera që të punojmë në drejtim të rritjes së profesionalizimit të punonjësve tanë. Kjo është në radhë të parë dhe rritjes së kapaciteteve logjistike që puna jonë të bëhet në mënyrë më të lehtë dhe më efikase, këtë e bëjmë në vazhdimësi dhe kërkojmë edhe nga partnerët që t’i rrisim kapacitetet me trajnime specializime në fusha të caktuar të hetimeve që të jenë më efikase dhe profesionale”, tha Hodaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komisionin për Ekonomi kanë kaluar propozimet për mbulimin e…