Pensionistet e Ferizajt në mbështetje të Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

29 janar 2026 | 22:39

Shoqata “Zonjat”, e përbërë nga pensionistet e Ferizaj, ka shprehur mbështetjen e saj për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë për çlirimtarët e Kosovës.

Përfaqësuesit e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, të shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kanë vizituar sot këtë shoqatë, ku janë pritur me respekt dhe solidaritet nga anëtaret e saj.

Gjatë takimit u theksua se pensionistët e Ferizajt, si dëshmitarë të sakrificave dhe vuajtjeve të popullit të Kosovës ndër breza, e konsiderojnë kërkesën për drejtësi të paanshme si obligim moral dhe qytetar.

Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vlerësoi mbështetjen e pensionistëve, duke theksuar rëndësinë e zërit të tyre në këtë kauzë.

“Mbështetja e pensionistëve është dëshmi e fuqishme se kjo kërkesë për drejtësi vjen nga vetë shoqëria. Brezat që e kanë përjetuar historinë e Kosovës e dinë më së miri pse drejtësia nuk guxon të politizohet”, tha Hoxha.

Edhe përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, theksoi se përfshirja e pensionistëve i jep marshit një dimension të veçantë qytetar dhe njerëzor.

“Ky marsh është zë i ndërgjegjes kolektive. Kur pensionistët, nënat dhe gjyshet dalin në mbështetje të drejtësisë për çlirimtarët, kjo e bën edhe më të qartë se kauza jonë është e drejtë dhe e përbashkët”, tha Tasholli.

Shoqata “Zonjat” u bëri thirrje qytetarëve të Ferizajt dhe më gjerë që t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt në Prishtinë.

Platforma Liria ka Emër do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten parashikohet mot kryesisht i vranët dhe herë pas…