
Pensionistët s’kanë obligim të lajmërohen në zyrat për pensione, shkak pandemia
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka njoftuar të gjithë pensionistët se deri në kalimin e situatës pandemike nuk janë të obliguar të paraqiten në zyrat e pensioneve për t’u lajmëruar.
Në njoftimin e kësaj ministrie është thënë se ky vendim është marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19 dhe zbatimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së në mbrojtjen e shëndetit të tyre.
“Të gjithëve do t’iu realizohet pagesa e pensioneve pa asnjë ndalesë deri në tejkalimin e kësaj situate dhe rekomandimeve tjera nga MSH/IKSHP dhe Qeveria. Të gjithë pensionistët të cilët fitojnë të drejtën për herë të parë në pension, nëse nuk kanë mundësi të paraqitjes fizike në zyrat e pensioneve, do t’iu njihet e drejta dhe beneficionet për pension nga data e pensionimit”, ka njoftuar MPMS-ja.