
Pensionohet kapitenia e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj
Portierja e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj është larguar nga hendbolli aktiv pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme. Ajo ka fituar gjithçka që mund të fitohet në hendbollin kosovar, si me gjeneratat e reja, ashtu edhe me skuadrën e parë.
Për tetë vite rresht, ajo u paraqit në kupat e Evropës me skuadrën e trofeshme të Istogut, ku u zhvillua si hendbolliste dhe kaloi gjithë karrierën e saj. Ahmetxhekaj mbrojti gjithashtu ngjyrat e kombëtares së Kosovës dhe u shpall portierja më e mirë në Kosovë në vitin që lamë pas, vit kur fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës, këtë herë si kapitene e Istogut, pasi në këtë pozitë pasoi yllin e hendbollit Istogas, Albina Rugova. Tani rolin e kapitenes së skuadrës së trofeshme kosovare, Istogu, e ka marrë Suzana Ujkaj. Blerta Ahmetxhekaj është martuar me asamblistin istogas Agron Gashi dhe tani do t’i përkushtohet profesionit të saj si mësimdhënëse.
“KHF Istogu i falënderon ish-hendbollisten dhe kapitenen Blerta Ahmetxhekaj për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në skuadrën e Istogut, duke i dëshiruar shëndet dhe mirëqenie në familjen e saj të re. Faleminderit, Blerta!”, ka shkruar Istogu.