
Për 10 vjet mbi 112 mijë nxënës më pak në Shqipëri
Arsimi fillor dhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) kanë pësuar tkurrje më të theksuar. Në shkollat fillore, numri i nxënësve ka rënë me 14% ndërmjet 2020 – 2025, ndërsa në ciklin e lartë të arsimit bazë, reduktimi është 11%, duke reflektuar emigracionin e lartë të familjeve, përveç rënies së lindjeve.
Viti i ri shkollor starton ditën e sotme për rreth 345 mijë nxënës, 26.500 prej të cilëve ulen për herë të parë në banka. Në shkolla do të rikthehen gjithashtu edhe 31 mijë mësues.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu bëri më dije një ditë më parë se 236 mijë nxënës do t’i marrin tekstet shkollore falas. Gjithashtu u bë me dije se këtë viti janë hapur 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara, 340 laboratorë SMART, palestra e terrene të reja sportive.
Por sipas statistikave, numri i nxënësve në shkolla është në rënie, prej uljes së lindjeve dhe emigracionit, por pas pandemisë, fenomeni po përkeqësohet.
Në vitin shkollor 2024-2025, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin 9-vjecar ishte 250.6 mijë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020-2025, totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%. Ndërsa gjatë dekadës nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ra më mbi 31%, ose 112 mijë më pak.
Në nivelet më të ulëta të arsimit, përkatësisht në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar është ulur me 8%, duke kaluar nga 71,332 në vitin 2020 në 65,914 fëmijë në vitin e fundit. Ky fenomen është tregues i tranzicionit të fortë demografik me uljen e lindjeve poshtë nivelit 1.5 fëmijë për grua dekadën e fundit, në krahasim me vitet 1990, ku ky tregues ishte mbi tre fëmijë për grua.
Arsimi fillor dhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) kanë pësuar tkurrje më të theksuar. Në shkollat fillore, numri i nxënësve ka rënë me 14% ndërmjet 2020 – 2025, ndërsa në ciklin e lartë të arsimit bazë, reduktimi është 11%, duke reflektuar emigracionin e lartë të familjeve, përveç rënies së lindjeve, përcjell Monitor.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% në periudhën në fjalë. Gjatë këtyre viteve, regjistrimet në gjimnaze dhe shkolla profesionale kanë pësuar rënie prej 19%, duke reflektuar largimin e të rinjve në emigrim. Arsimi profesional ka shënuar gjithashtu ulje prej 11%, por kjo është më pak në krahasim me gjimnazet.(INA)