Për çdo çështje që lidhet me Kosovën, PDK-ja është aty

02 prill 2020 | 08:48

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë qëndrim konsistent. Ai ka thënë se PDK-ja ishte kundër qeverisë Kurti dhe si pasojë edhe votoi për rrëzimin e kësaj qeverie në mocionin e iniciuar nga LDK-ja, partner qeveritar, raporton KTV.

Ai ka përsëritur se PDK-ja do të mbetet në opozitë në këtë kohë, e zërat se partia e udhëhequr nga Kadri Veseli do të mbështesë një qeveri tjetër i ka quajtur paragjykime. “Duhet të respektohen hapat kushtetues, për hapat e mëvonshëm do të sillemi përgjegjshëm, sikur deri më tash”, ka thënë Krasniqi. “Ato janë kalkulime të gabueshme, çështje të interpretimit. PDK-ja i ka qëndrimet e veta dhe natyrisht se do të votojë në Kuvend karshi këtyre qëndrimeve në pajtim edhe me programin tonë politik. Gjithçka që thuhet për ne është paragjykim”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka folur edhe për tarifën e hequr për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas tij, ky është një vendim gjysmak dhe mashtrues nga ana e qeverisë në detyrë. Qeveria në detyrë sot ka njoftuar se ka nisur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, por Krasniqi thotë se kjo s’ka të bëjë me të vërtetën. “Ne sot kemi një deklaratë për këtë çështje, është një vendim në bazën e vendimeve mashtruese të kësaj qeverie, realisht nuk ka të bëjë asgjë me premtimet, as me konsistencën. Nuk ka të bëjë me reciprocitet. Është munduar të kamuflohet me reciprocitetin gradual. Fillimisht tha se do të bëhet reciprociteti, pastaj do të hiqet taksa, pastaj tha se taksa e reciprociteti do të ndodhin për një ditë e më pas tha se fillimisht do të hiqet taksa e më pas do të vendoset reciprociteti”, tha ai.

Krasniqi, po ashtu, ka folur edhe për maunat e kthyera në kufi, pasi nuk i referoheshin Kosovës me emrin kushtetues. Por, sipas tij, një vendim i tillë ekziston tash e një vit, i marrë nga qeveria e kaluar. “Vendimi ka qenë në fuqi për më shumë se një vit. Ku mbeti reciprociteti për targat e veturave, e shumë të tjera, apo siç i ka quajtur vetë Kurti, reciprocitet ekonomik, tregtar e politik?”, ka thënë Krasniqi.

E sa i përket çështjes së taksës, sipas tij, qëndrimin më konsistent dhe më të mirë e ka mbajtur partia e tij. “Është në vazhdimësinë e vendimeve gjysmake. Ne ishim të vetmit konsistentë që nga janari i vitit 2019, ishim që të pezullohet tarifa për 120 ditë, e nëse nuk do të kishte një marrëveshje për njohje reciproke, atëherë do të vendosej prapë. Kështu edhe do t’i merrnim parasysh rekomandimet e shtetit mik të Kosovës, ShBA-së”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja të jetë në këtë kohë pjesë e qeverisë, por ajo do të jetë pjesë e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. “PDK-ja gjithmonë ka qenë për të marrë pjesë në proceset që janë interes për Kosovën, edhe kur kemi qenë në opozitë, edhe në kohën kur kemi qenë udhëheqës të qeverisë i kemi ftuar të jenë pjesë e procesit. Edhe në mandatin e kaluar i kemi ftuar, madje i kemi ftuar edhe ta udhëheqin këtë proces. Ne nuk kemi ndryshim të qëndrimeve tona. Në çështjet që lidhen me interesin e Kosovës, padyshim se PDK-ja do të jetë gjithmonë aty. Procesi duhet të mbyllet me pjesëmarrjen e të gjithëve”, u shpreh Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Frika nga përhapja e koronavirusit nëpër burgje ka detyruar autoritetet…