
Për herë të parë në ShSKUK ka filluar trajtimi me metodën moderne VNS për pacientët me epilepsi farmakorezistente
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), për herë të parë ka filluar të ofrohet trajtimi me metodën moderne të Elektrostimulimit të Nervit Vagus (VNS) për pacientët me epilepsi farmakorezistente.
Në bashkëpunim me Klinikën e Neurokirurgjisë dhe me mbështetjen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), janë siguruar pajisjet dhe janë përmbushur të gjitha parakushtet për realizimin e këtij trajtimi.
Më 2 dhe 3 qershor 2025, janë trajtuar me sukses tre pacientët e parë, të përzgjedhur nga ekipi multidisiplinar i Klinikës së Neurologjisë, të cilët kanë përmbushur kriteret për implantim.
Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në sallën e operacionit të Klinikës së Neurokirurgjisë, nën udhëheqjen e neurokirurgut të njohur nga Italia, Dr. Leonardo Fiori (Ospedale di Lecco “Alessandro Manzoni”), në bashkëpunim me e neurokirurgëve të udhëhequr nga Dr. Besnik Elshani, neurokirurgë të tjerë, si dhe me mbështetjen e ekipës së anestezionit nga Klinika e Anesteziologjisë si dhe monitorimin neurologjik nga Dr. Melihate Pushka.
Kjo metodë inovative aplikohet tek pacientët të cilët, pavarësisht përdorimit të dy ose më shumë medikamenteve antiepileptike, vazhdojnë të kenë kriza të shpeshta dhe të rënda.
Trajtimi me VNS konsiston në implantimin e një pajisjeje që gjeneron impulse elektrike në nervin Vagus, duke ndihmuar në kontrollin më efektiv të krizave epileptike.
Ky shërbim i ri është rezultat i përgatitjeve shumëdimensional që kanë filluar që nga viti 2022 nga Klinika e Neurologjisë, përfshirë trajnime profesionale brenda dhe jashtë vendit (Kroaci, Belgjikë, Çeki), si dhe përpilimin e dokumentacionit dhe planit të veprimit nga Grupi Punues i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo arritje shënon një hap të madh drejt avancimit të shërbimeve neurologjike në Kosovë, duke i dhënë fund nevojës që pacientët të kërkojnë trajtim jashtë vendit, me kosto të larta dhe me barrë për buxhetin e shtetit dhe familjet e pacientëve.