
Për katër muaj mbi 6 mijë aksidente
Për katër muaj në rrugët e Kosovës kanë ndodhur mbi 6 mijë aksidente, ku prej tyre 31 kanë qenë me fatalitet.
Sipas Policisë së Kosovës, janë 4 mijë e 30 persona të lënduar nga këto aksidente.
“Për periudhën janar-prill janë 31 aksidente fatale, 2,164 aksidente me lëndime me 4,030 personat të lënduar. Kurse aksidente me dëme janë 3,933 apo në total aksidente 6,128”, thuhet në përgjigjen e policisë për Telegrafin.
Policia kërkon nga pjesëmarrësit në trafik që t’iu përshtaten kushteve të rrugëve.
“Policia e Kosovës me njësitë e sajë në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten rregullave, kushteve të rrugës, si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për një siguri më të madhe në trafik”, thekson Policia e Kosovës.