Për Luan Haradinajn: fjalët e shpirtit dhe të zemrës

05 maj 2025 | 09:31

Shkruan: Azem Syla, komandant i Përgjithshëm i UÇK-së

– Një figurë luani që dua të kujtoi sot është Luan Haradinaj; – Zjarr i lëshonin sytë, megjithëse dukej shumë i qetë. Ai shkonte në detyrë sikur po shkonte të kryente një punë të zakonshme;
– Luani kur ra për të kaluar në piedestalin kombëtar ishte vetëm 23 vjeçar, por ishte rritur aq shumë, sa të ishte njëri ndër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Njeriu është edhe me fat edhe kalon nëpër shumë disfata në jetë. Unë kam pasur shumë fat që jam njohur, kam vepruar e kam luftuar me shumë djem e burra, nëpër rrugën e luftës për çlirimin e atdheut, por jam edhe zemërthyer sepse nëpër ato rrugë të zjarrta shumë shokë më kanë mbetur në themelet e luftës duke u bërë pishtarë të përjetshëm të ndriçimit të atdheut nëpër kohë.
Një figurë luani që dua të kujtoi sot është Luan Haradinaj. Ai që ishte dhe dukej i ri, por që ishte me një fuqi që impononte nderim dhe pasqyronte qëndrueshmëri dhe pathyeshmëri në çdo veprim e në çdo aksion që ndërmerrte.
Luanin e kam njohur në ato kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po hidhte themelet e saj në gjithë hapësirat e Kosovës dhe po merrte formë e po krijonte portretin e saj duke përcaktuar përgjegjësitë për çlirimin e vendit. Ai banonte në një lagje të Tiranës. Informacionin e parë për Luanin ma pati dhënë Halim Krasniqi. Në atë banesën ku banonte edhe familja e shtëpisë e njihte me emrin ”Studenti”. Kushdo që pyeste, e këdo që të pyesje thoshin: a po, ai studenti.
Megjithëse edhe pa e takuar unë kam pasur njohje edhe më herët për Luanin nëpërmjet Nait Hasanit, i cili e portretizonte si një nga figurat më të spikatura të atij organizimi luftarak që po realizohej në Kosovë prej vitit 1994 e në vijim, për të realizuar masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare dhe për ndërmarrjen e hapit për çlirimin e vendit.
Edhe në këtë kohë kur jemi takuar, Luani, pavarësisht se ishte me qëndrim në Tiranë ai bënte jetë gjysmë ilegale. Sillej me kujdes dhe nuk dukej të qëndronte në mjedise të zhurmshme.
Kujtoi se më herët Luani i kishte pasur lidhjet e veprimtarisë me Xhavit Halitin. Ndërsa diku në vitet 1995 – 1996 Xhaviti më takoi me Luanin dhe më tha që të vijojmë të punojmë e veprojmë bashkë. E prej këtej mund të them se lidhja jonë u forcua edhe më shumë, kur bashkë me ne po vepronte edhe Sokol Poga.
Me Sokol Pogën u njohëm po në atë kohë në veri të Shqipërisë në Krumë, përkatësisht në shtëpinë bazë të UÇK-së te Alush Dragusha. Një bazë që Luani me Sokolin e kishin krijuar me kohë dhe që do të shërbente me devotshmëri gjatë gjithë luftës, duke na hapur rrugën që në shërbim të Luftës Çlirimtare të Kosovës të vihej gjithë fshati Vlahën e më gjerë.
Në veri unë e Sokol Poga kuptoheshim plotësisht me Luanin, i cili ishte vërtetë shumë luftarak, me vizion dhe me dëshirë të zjarrtë për luftë. Ai ishte një luftëtarë me autoritet. Të gjithë ata burra që vepronin me të e nderonin dhe ia zbatonin me shpejtësi e saktësi detyrat që vinte. Por ai ishte vetë luftëtarë që i kryente detyrat e tij pa u lëkundur dhe pa u menduar dy herë.
Kujtoi se më dukej që këtej nga veriu njerëzit janë kuriozë. Ata shpesh pyesnin: ky djalë i ri kush është e çka bën. Ndoshta edhe më dukej mua, sepse në atë kohë ne vepronim në fshehtësi të plotë. Por di se kur na pyesnin gjithnjë u thoshim: është student në Tiranë dhe shkon kur ka nevojë te shtëpia e vet (apo te prindërit) dhe kthehet në shkollë në studime të fakultetit të kulturës fizike, në universitetin e Tiranës. Dhe ai vërtetë që ishte student në atë fakultet, pavarësisht se prioritet kishte veprimtarinë luftarake në kuadër të UÇK-së.
Luani ishte i qartë për punën që bënte për ditë e për natë me përkushtim atdhetari. Ai ishte i bindur se shqiptarët do ta mbështesnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte i bindur se zjarri i luftës do ta përfshinte Kosovën dhe do të arrihej çlirimi. Jam bindur plotësisht se Luani pavarësisht moshës së re, kishte një pjekuri burri, por kishte edhe një fuqi imponuese ushtaraku dhe pavarësisht se nuk kishte studiuar në shkolla ushtarake, shihej në çdo fjalë e veprim se ishte i lindur për të qenë luftëtarë e komandant luftëtarësh.
Me Luanin kemi ecur shumë në atë kohë. Për të nuk kishte detyrë të pa realizueshme. Ai ishte shumë pozitiv. Asnjëherë nuk i shihte punët me shqetësim. Për të sido që të zhvilloheshin situatat, kishte zgjidhje për të dalë atë ku duhej e për të bërë atë që duhej në atë çast.
Çdo gjë që duhej për përgatitjen logjistike, për aksione kundër forcave policore e ushtarake e të shërbimit sekret (UDB-es) dhe të atyre që ndihmonin regjimin serb të Milosheviçit, për Luanin ishin detyra dhe punë që duheshin kryer dhe do të kryheshin në kohën e duhur dhe pa asnjë mungesë pavarësisht vështirësive të asaj kohe që ishin shumë të mëdha. Nuk besoj se kishte vështirësi sado të dukej, që të mund ta ndalte Luanin për të kryer detyrat që kishte marrë mbi vete. Ai ishte shumë i saktë në veprimet e tij, shumë dinamik dhe i pa lodhshëm, shumë energjik. Ishte aq ndikues sa mund të them se të gjithë ata që vepronin me të, pranë tij a nën udhëheqjen e tij, do të bënin të gjitha përpjekjet që të punonin e vepronin si ai. Përpiqeshin t’i ngjanin.
Kujtoi se diku në shkurt të vitit 1996 jam takuar me Sokol Bashotën, Daut Haradinajn dhe Mujë Krasniqin. Dhe në atë takim kam mësuar se Luani e kishte vëlla Dautin, por asnjëri prej tyre nuk e shfaqnin as para meje dhe para askujt që janë vëllezër. E kujtoi këtë si një nga çastet kur madhështia e këtyre djemve për mua nuk ka pasur kufi. Ata vepronin bashkë, luftonin bashkë, i kryenin detyrat bashkë dhe nuk shfaqnin asnjëherë dobësinë e vëllait për vëllain, dashurinë e vëllait për vëllain, kujdesin e vëllait për vëllain. Ata vërtetë ishim modeli i luftëtarit, modeli se si duhet të jenë çlirimtarët. E ruaj këtë të vërtetë në shpirt me një dashuri e kujdes të madh, se më është dukur gjithnjë si diçka e shenjtë.
Mund të them pa menduar se gaboj, që Luani e shihte Kosovën e çliruar. Prandaj edhe dukej sikur vraponte për t’i kryer detyrat e luftën sa më parë për ta arritur atë që shihte. Ai nuk e njihte vdekjen, nuk i shkonte mendja se mund të ekzistonte një forcë që ta ndalonte në rrugën e tij. Zjarr i lëshonin sytë, megjithëse dukej shumë i qetë. Ai shkonte në detyrë sikur po shkonte të kryente një punë të zakonshme. Nuk kishte rëndësi sa i madh ishte rreziku, për të nuk kishte ndalesë. E kishte pjekur mendimin, e kishte qartësuar plotësisht vetveten, ai do të ishte atje ku duhej, për të bërë atë që duhej, pa menduar për kërcënimet e rreziqeve të pranishme.
Luani për të kryer detyrat e di të furnizimit dhe të drejtimit shumë herë e shpesh e ka bërë rrugën e mundimshme e të rrezikshme Shqipëri – Kosovë. Rrugë pa rrugë, rrugë ku pas çdo hapi e pas çdo shkëmbi e druri të malit të priste tyta e ftohtë e pushkës së armikut, i cili ishte i vendosur të mos e lëshonte atdheun tonë që e kishte pushtuar. Prandaj edhe ishte i vendosur të vriste e masakronte çdo shqiptar që do të ngrinte dorën e armatosur për ta çliruar vendin. Por edhe ne ishim të vendosur ta zhduknim njëherë e përgjithmonë pushtuesin. E Luani ishte njëri nga ata që nuk ndalej. Kur dukej se ai akoma nuk ishte nisur, lajmëronte se ishte kthyer dhe e kishte kryer detyrën që kishte marrë mbi vete për ta kryer në Kosovë.
Por do të vinte një ditë, kur Luani bashkë me bashkëluftëtarë të tjerë nuk do të dojë të qëndrojë më tej në procesin e organizimi e të furnizimit, por do të niset për të vepruar në Kosovë, duke pasur si synim të krijonte një njësit që do të vepronte në terrenin e Dukagjinit, për ta zgjeruar hapësirën ku dëgjoheshin krismat e pushkëve të UÇK-së. Ishte me shokë të zgjedhur e bashkë me të edhe vëllai i tij më i madh Ramushi, të cilët po i shkonin Kosovës për të dhënë sa më shumë nga vetja për ta çliruar.
Por armiku do të ishte aty përballë tyre. Luftëtarët do të ndodheshin përballë një formacioni të madh luftarak të armikut, të cilin nuk do të dëshironin ta ndeshnin në ato kushte. Por situata u krijua e tillë, sa që luftëtarët u detyruan të fillonin betejën e tyre. Ata e bënë luftën e tyre që zgjati disa orë, duke i shkaktuar humbje të ndjeshme armikut, por duke pësuar një humbje e dhimbje të madhe edhe për vete. Në atë betejë të pabarabartë do të bjerë në frontin e luftës për të qenë gjithnjë luftëtar i përjetshëm, luftëtari dhe komandanti i madh i luftës Luan Haradinaj. Një humbje shumë e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për zonën e Dukagjinit, për bashkëluftëtarët, ashtu si dhe një dhimbje e madhe për familjen, për prindërit, për vëllezërit e gjithë të afërmit. E në atë betejë do të plagosen edhe Rafet Rama, Fehmi Lladrovci e Ramush Haradinaj, që përveç dhimbjes për vëllain do të bartte edhe plagët.
Mund të thuhet se ajo betejë, ishte beteja e parë e zhvilluar në kufirin Shqipëri – Kosovë nga një formacion luftarak i UÇK-së. Mund të thuhet se Luani me veprën e tij e bëri luftën që aq shumë e dëshironte për ta parë Kosovën e Shqipërinë pa kufij midis tyre. Ai formacion që e bëri atë betejë që gjëmoi shumë, kishte në përbërje luftëtarë që pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të bëheshin drejtues e udhëheqës me emër e disa prej tyre edhe do të binin në frontet e luftës për t’u bërë të përjetshëm. Për të arritur deri te kjo betejë e te lufta e madhe e UÇK-së dhe te çlirimi i Kosovës, Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin e vepronin për ta ndryshuar fatin e Kosovës dhe kahen e fuqisë së kombit shqiptar. Jam krenar që kam ecur nëpër rrugët e veprimtarisë atdhetare dhe të luftës me viganë të tillë si Luan Haradinaj e luftëtarë të tjerë që kanë bërë vepra të përjetshme.
Luani kur ra për të kaluar në piedestalin kombëtar ishte vetëm 23 vjeçar, por ishte rritur aq shumë, sa të ishte njëri ndër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Luani i përkiste një familjeje me vlera të mëdha kombëtare. Familja Haradinaj ishte e njohur ndër kohë për qëndresën për atdhe e komb. Smajl Haradinaj (axha) që frymëzoi rininë me idealet kombëtare, me gjithë të bijtë e tij luftëtarë Nasimin e Agronin, dhe në përgjithësi kontributi i vëllezërve Haradinaj në luftën tonë çlirimtare kundër barbarisë serbe, shënon njërën ndër faqet më të ndritura të historisë sonë më të re, jo vetëm në Dukagjin. Familja e bacës Hilmi dhe nënës Rukie ishte e gjitha në shërbim të lirisë së Kosovës.
Luani i përket organizimit të njësiteve të para të luftës për liri në Dukagjin. Ai është evidencuar si pjesë e veprimtarisë luftarake bashkë me vëllain e tij Shkëlzenin dhe me bashkëveprimtarë të tjerë qysh nga nëntori i vitit 1993. Prej asaj kohe, me vëllezërit e tij Ramushin, Shkëlzenin, Dautin dhe me shokët e idealit, si: Lahi Brahimaj, Agim Zeneli, Adrian Krasniqi etj., me tërë forcën e tij u përkushtua në organizimin e luftës për liri.
Luan Haradinaj i përket asaj pjese të burrave të Kosovës që quhen themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte udhëheqës dhe njeri i aksionit. Rënia e tij mbetet përjetësisht gur themeli për bashkimin e shqiptarëve në luftë për liri e bashkim kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës, dëshmorit Luan Haradinaj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Heroi i Kombit Zija Shemsiu, është luftëtari i…