Për manipuluesit e votave ka vend: 800 shtretër të lirë në burgje
Shërbimi Korrektues i Kosovës reagoi ndaj raportimeve se nuk ka hapësira të mjaftueshme në burgje për personat që mund të arrestohen në kuadër të aksionit të sotëm të Prokurorisë së Prizrenit, i cili lidhet me dyshimet për manipulim të votave.
Sipas Shërbimit Korrektues, aktualisht në institucionet korrektuese të Kosovës ndodhen gjithsej 1,758 të burgosur, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm është rreth 2,560 shtretër. Kjo, sipas tyre, nënkupton se ekzistojnë rreth 800 vende të lira për pranimin e rasteve të reja.
Në njoftim theksohet se pretendimet për mungesë kapacitetesh janë të pabazuara dhe se institucionet korrektuese janë të gatshme të pranojnë persona të rinj, sipas nevojës. Po ashtu, bëhet e ditur se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila mundëson shfrytëzimin e përkohshëm të objekteve të njëra-tjetrës në situata të veçanta.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë ftuar për intervistim në rajonin e Prizrenit, ndërsa gjatë ditës pritet që disa persona të ndalohen.



