Për monografinë “Bajroni dhe shqiptarët”

17 dhjetor 2021 | 09:08

Eliot Karjagdiu

 (Rreth monografisë së prof. dr. Abdullah Karjagdiut me titull “Bajroni dhe shqiptarët”)

 Mbase është koincidencë, por dalja në dritë e kësaj monografe të veçantë shkencore po bëhet në vigjile të 200 vjetorit të vdekjes së Ali Pashës dhe të 85 vjetorit të lindjes së autorit të këtij studimi të rrallë, Prof. Dr. Abdullah Karjagdiut, i cili ndërroi jetë kohë më parë.

Prof. Dr. Abdullah Kajragdiu është profesor dhe studiues erudit, akademik, poliglot, eksperti më i shquar të letërsisë angleze dhe amerikane dhe letërsisë së krahasuar, doajen i letërsisë angleze dhe amerikane dhe veprimtar politik e diplomat i kalibrit nëdrkombëtar. Do sqaruar se, profesor Karjagdiu këtë temë e ka mbrojtur si tezë të doktoranturës, në vitin 1975, me titull “Bajroni dhe shqiptarët”.Studimi është botuar pas rishikimit, modifikimit dhe strukturimit të tij të ri. Për jo pak gjenerata, Prof. Dr. Abdullah Kajragdiu, qe udhërrëfyes për njohjen me botën e letërsisë, por veprimtaria e tij nuk u ndal vetëm në fushën e arsimit e të kulturës. Gjatë karrierës së tij të begatë, të larmishme dhe të lavdishme i ka ushtruar edhe funksionet në vijim: Shef i Departamentit të Anglishtes, prodekan dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë, nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, e të tjera Abdullah Kajragdiu u lind më 24 dhjetor të vitit 1936 në Prizren. Diplomoi në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, në vitin 1961, në Universitetin e Beogradit. Mori titullin magjistër i Letërsisë Angleze, në vitin 1971 në Universitetin e Zagrebit dhe doktor i Filologjisë në vitin 1975 në Universitetin e Prishtinës me temën “Bajroni te shqiptarët”. Ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze në shumë universitete në Kosovë, rajon dhe në botë. Ka qenë njohës i shkëlqyeshëm i disa gjuhëve botërore në Kosovë, kur kishte shumë pak shqiptarë që dinin gjuhë të huaja. I ka lënë disa vepra të çmueshme nga fusha të ndryshme. Ka botuar më se 200 artikuj studimorë, vëzhgime, trajtesa, punime dhe ese rreth letërsisë shqipe, angleze dhe amerikane, letërsisë së krahasuar, gjuhësisë, bilinguizmit, kritikës, kritikës së përkthimit, kulturës, e të tjera. Te veprimtaria e tij si përkthyes shquhen veprat e F. Nolit “Autobiografia” (nga anglishtja), 1968; Senkejeviçit dhe të tjerëve: “Historia e shkurtër e Shqipërisë” (nga rusishtja), 1968; Paganellit: “Skënderbeu” (nga frëngjishtja), 1968; F. Konicës: “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” (nga anglishtja), 1991; Mallkolmit: “Kosova, një histori e shkurtër” (nga anglishtja), 1998; Eriksonit: “Ditari i Eriksonit nga trojet shqiptare” (1908-1913) botuar më 2002. Pos tyre ka përkthyer edhe një sërë romanësh, dramash, tregimesh dhe poezish, nga Bekoni, Drajtoni, Llovlasi, Spenseri, Bajroni, Sarojani, Tveni, Hemingueji, Shoi, Vajlldi, Bërnsi, Shelli, Emersoni, Longfelloi, Uitmani, Fokneri, Kouldvelli, Xhonsoni, Bllejku, Brixhsi, Steinbeku, Mensfilldi, Frosti, Lovell, Ljermontovi, Çehovi, Shollohovi, Jeutushenko, Sollzhenjicin, Pirandello, De Leda, Moravia, Kuazimodo, Vergar, Dode, Mopasani, Tagore, Kavabata, poetë afro-aziatikë, e të tjerë. Ka qenë mentor ose anëtar i komisionit në mbrojtjen e 40 magjistraturave dhe 20 doktoratave nga filologjia, letërsia angleze dhe amerikane, letërsia shqipe dhe letërsia e krahasuar. Ka vizituar dhe ka marrë pjesë në konferenca, takime dhe kongrese, si gazetar, përkthyes, profesor dhe lider partiak dhe politik në këto qytete: Beograd, Zagreb, Lubjlanë, Sarajevë, Portorozh, Novi Sad, Dubrovik, Ohër, Tiranë, Stamboll, Moskë, Kopenhag, Londër, Sauthempton, Budapesht, Sen Galen, Varshavë, Hamburg, Helsinki, Tripoli, Bon, Mjunih, Zhenevë, Vienë, Grac, Bruksel, Oslo, Kijevë, Starzburg,  Bern, Sofie, Bratisllavë, Krakovë, Romë, Cyrih, Kuebek, Nju Jork, Uashington, Valete, Madrid,  Gllasgou, Bari, Tbilisi, Katmandu, Nju Delhi, Algjer, Tripoli, Dakar, Senegal, Lagos, Venedik, San Francisko, Bergen, Kishinjevo, etj.

 Struktura e monografisë e prof. dr. Abdullah Karjagdiut

Monografia e profesorit tonë erudit është ndarë në katër pjesë, ndërsa secila pjesë është ndarë në katër kapituj. Pjesa e parë përbehet nga kapitujt në vijim: 1. Në cakun e ekzotizmit; 2. Bajroni mes shqiptarëve; 3. Miku i çmuar i Ali Pashës; dhe 4. Tok me suliotetë në luftën për liri. Në pjesën e parë të këtij studimi gjithëpëfshirës autori ka bërë përpjekje që ta gjurmojë kërshërinë e romantikëve ndaj Orientit dhe ekzotizmit, pastaj, ka vazhduar me trasimin dhe përcjelljen e itenerarit të shtegtimit të parë dhe të dytë të Bajronit nëpër Shqipëri, Greqi dhe Orient, në përgjithësi. Njëherësh, në këtë pjesë autori ka bërë një rropatje të veçantë me qëllim të krijimit të një pasqyre sa me integrale të përshtypjeve, takimeve dhe përvojës jetësore të Bajronit gjatë vizitës së tij viseve shqiptare si dhe gjatë qëndrimit të tij mes shqiptarëve, në përgjithësi dhe malësorëve shqiptarë të jugut dhe suliotëve, në veçanti. Titujt e katër kapitujve të pjesës së dytë të këtij studimi monumental janë si në vijim: 1. Shtegut të frymëzimeve; 2. Shqiptarët në “Çajld Haroldin” e Bajronit; 3. Heronjtë bajronian me karakteristika shqiptare; dhe 4. Bajroni dhe albanologjia. Në pjesën e dytë të kësaj monografie profesor Karjagdiu ka bërë përpjekje ngulumuese që t’i regjistrojë të subjektivizuara dhe të projektuara në forma artistike, si në “Çajld Haroldin” e tij ashtu edhe në disa poezi dhe poema të tij, mbresat, opinionet dhe frymëzimet e Bajronit nga shtegëtimi nëpër viset shqiptare dhe shoqërimi me ta. Me këtë rast, ai ka sqaruar se ç’kishte lexuar Bajroni për Lindjen e Afërme, i ka përmendur disa episode të përjetimeve frymëzuese dhe e ka marrë në shqyrtim kontributin e Bajronit dhënë albanologjisë, kur akoma askush nga shqiptarët apo edhe të huajt s’kishte zënë të interesohej për poezinë popullore shqipe.  Pjesa e tretë i përbanë kapitujt në vijim: 1. Huazimet dhe ndikimet; 2. Fama; 3. Ç’është bajronizmi; dhe 4. Bajronizmi i një atdheu të dytë. Në pjesën e tretë të këtij studimi vouluminoz dhe të rrallë studiuesi i mirënjohur, Dr. Abdullah Karjagdiu, bën fjalë për natyrën dhe domosdoshmërinë e ndikimeve reciproke në letërsi, për famën e Bajronit në Evropë, për karakteristikat kryesore të bajronizmit dhe, në mënyrë të veçantë, fokusohet të bajronizmi i Italisë së jugut, ku jetojnë arbëreshët tanë, me qëllim që t’i hetojë koincidencat si dhe ndikimin eventual të bajronizmit kalabrez dhe sicilian në krijimtarinë poetike të disa poetëve arbëresh. Ndërkaq, katër kapitujt e pjesës së katërt të kësaj vepre shkencore janë: 1. Bajronizmi arbëresh; 2. Bajroni dhe rilindasit tanë; 3. Bajroni dhe traditat kulturore shqiptare; dhe 4. Legjenda mbi Bajronin. Në pjesën e katërt apo në pjesën e fundit të studimit të tij, Dr. Karjagdiu ka bërë përçapje që të saje të shembujve, krahasimeve dhe të dhënave të ndryshme t’i zbulojë dhe shpalosë karakteristikat bajroniane të disa krijuesve më të shquar arbëresh të periudhës së Rilindjes sonë kombëtare, me ç’rast ka hequr paralelizma mes disa veçorive të poezisë bajroniane dhe të poezisë së rilindasve tanë dhe e ka hulumtuar praninë dhe shkallën e ndikimit të Bajronit në poezinë e rilindave tanë dhe e ka regjistruar edhe kronologjinë e popullaritetit të personalitetit të Bajronit në traditën tonë kulturore si dhe legjendat frymëzuese apo jetën dhe liridashësinë bajroniane, të cilat si një motiv dhe temë e pashtjershme, i frymëzojnë sot e kësaj dite poetët tanë dhe u japin mundësi atyre që të thurin vargje e ta himnizojnë perosnalitetin, idetë dhe gjestin bajronian. Ndërkaq, në përmbylljen e kësaj vepre shkencore, profesori i rezymon, i përmbledhë dhe i rrumbullakon gjetjet dhe përfundimet e nxjerra nga studimi.

Sipas dy studiuesve të shquar të letërsisë Vorenit dhe Velekut, letërsia është një, ashtu si është një njerëzimi dhe arti. Së këtejmi, ata kanë konstatuar se lidhjet e letërsisë së përgjithshme dhe kombëtare janë të ndërsjella dhe dialektike, kurse veçoritë e përbashkëta të mendimit artistik evropian, shfaqen në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme, ndërsa çdo vend, ka qendrat e veta të rëndesës që shmangen nga rruga e përbashkët dhe që përcaktojnë dallimet e një tradite kombëtare nga një tjetër. Ndërsa, sipas Van Tigemit, është e vërtetë se letërsia kombëtare duhet të jetë objektiv i historisë së letërsisë kombëtare, por sipas tij, letërsia e gjithmbarshme interesohet për ato lëvizje, dukuri dhe tendenca letrare që i kapërcejnë caqet kombëtare, kurse letërsia e krahasuar merret me marrëdhëniet midis dy a më shumë letërsive. Ndaj, kjo monografi e rrallë është mbështetur në konceptet, qasjet dhe metodat e historisë së letërsisë kombëtare, nga një anë dhe të metodave të letërsisë krahasimtare dhe të gjithmbarshme, nga ana tjetër. Më konkretisht në këtë studim prestigjioz kemi të bëjmë me marrëdhëniet kulturore dhe letrare shqiptaro- angleze.

E shoh të udhës po ashtu që të vë në dukje se për hartimin e kësaj monografie studiuesi i mirënjohur Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu ka është gjurmuar, siguruar, shpaluar dhe shfrytëzuar një literaturë shumë të gjerë, të nduarduarshme dhe të begatë. Njëherësh, gjatë përgatitjes së këtij studimi kaq serioz, voluminoz dhe prestigjioz Prof. Karjagdiu, në kuadër të këmbimeve ndërkombëtare, ka qënduar për vizita studimore edhe në Sauthempton dhe në Uells të Anglisë, në Montral të Kanadasë, në Tiranë të Shqipërisë, etj., si dhe ka bashkëpunuar me shumë personalitete dhe institucione shkencore, akademike, kulturore dhe letrare të Kosovës, të Shqipërisë, të Anglisë dhe të botës.

 Tema dhe motive shqiptare në disa poezi të Bajronit  

 Në parathënie të monografisë autori i saj, Profesor i shquar Dr. Abdullah Karjagdiu bën të qartë se: “Interesimi i Bajronit për shqiptarët nuk do të jetë gjithaq i thjeshtë. Shqiptarët, historia, trojet dhe pejsazhet shqiptare, do t’i përmendë Bajroni si në letrat e tij të shkruara gjatë shtegtimit të tij nëpër Orient, ashtu edhe në shënimet, referencat dhe në disa vepra të tij poetike. Ndërkaq, sipas të gjitha gjasave, shqiptarët zunë të interesoheshin për Bajronin, vizitën e tij Shqipërisë dhe veprën e tij letrare, që në pjesën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë”.

Bajroni ka shkruar edhe për disa figura të famshme shqiptare. Kështu, në këngën e dytë të “Çajld Haroldit” ai shkruan për Ali Pashën, Skënderbeun, si dhe ka një poezi për suliotët ku i thërret ata që t’i rrokin armët të luftojnë për liri. Duke kaluar ditë të tëra mes shqiptarëve, Bajroni spikati disa cilësi që i çmonte më së shumti te njeriu. Romantikut të ri anglez i ranë në sy kushtet e vështira të jetës nën robërine e huaj, doket e çuditshme e të rrepta shqiptare, po njëherish, me kënaqësi të madhe ai e pati të qartë se gjendej mes njerëzish, me të cilët mund të merrej vesh e të pajtohej fare lehtë, me te cilët mund të shoqërohej e të jetonte, sepse pos tjerash e çmonin burrërinë e mikun, nderin e çiltertinë, bujarinë dhe trimerinë.

Është interesant të thuhet se para se të nisej në viset shqiptare të Perandorisë së atëhershme Otomane, miku i tij poeti romantik anglez Sheli, u rropat ta bindte Bajronin që ky mos t’i vizitonte shqiptarët, për shkak të rreziqeve eventuale që mund t’i kishte rrugës. Bajroni s’e dëgjoi mikun e vet dhe s’u pendua dot. U miqësua me disa shqiptarë, brodhi në trojet jugore të Shqiperisë si dhe në viset greke ku jetonin shqiptarët, kaloi çaste plot e përplot tronditje mes tyre dhe zuri miqësi me Ali Pashë Tepelenën. Miqësia e simpatia mes poetit të ri romantik dhe pashait të shquar shqiptar qe reciproke dhe vazhdoi edhe një kohë të gjatë pas takimeve të tyre në Kalanë e Tepelenës.

Shqiptari, poetit të ri romantik, iu duk bir i tokës dhe historisë, ideal i njeriut, prandaj kur vendosi t’i jipej kauzës së lirisë e të pavaresisë greke, duke i hyrë një therorizmi madhështor e të rrallë, Bajroni e kërkoi sërish shoqërinë e mbështetjen e suliotëve të tij, gjuhën e të cilëve u orvat ta mësojë, karakterin e të cilëve e studioi me mirëkuptim e durim dhe të cilëve ua kushtoi njerën prej poezive të fundit të jetës, duke i porositur suliotët që të mbeteshin konsekuent në luftën për liri me vargje të këtilla:

Bijt e Sulit! – merrni hak!

Fjala juaj tym e flak!

Çani mespërmes me shqotë!

Dridhjani trima suliotë!

Lum kush për të drejtën bie,

tundeni siç ju ka hije!

Me drejtpërdrejtshmërinë e përshtypjeve, të përjetimeve, observimeve dhe kontakteve njerëzore, shqiptarët ndikuan në krijimtarinë e Bajronit më tepër se banorët e ndonjë visi  tjetër që i vizitoi aso kohe. Atë jo vetëm që e magjepsi bukuria e egër e natyrës, po ai para së gjithash u fascinua me karakterin, kontrastet e rrepta, ligjet, zakonet e pashkruara, pasionet e rrëmbyeshme, kryelartësia dhe kulti i trimërise, i besnikërisë, i miqësisë,  i nderit, i bukurisë, i dashurisë dhe i lirisë. S’është për t’u çuditur se pse, sot fare lehtë, tok me studiues tjerë të Bajronit, mund të pohosh pa ngurrime se Bajroni jo vetëm që i ndjeu me intuitë cilësitë pozitive të shqiptarëve, por duke i njohur ata mirëfilli, zuri ta formulojë konceptin e tij të heroit romantik, duke u mbështetur, në rradhë të parë në shembëlltyrat konkrete, në shoqëruesit e vetë shqiptar, Vasilin e Dervishin, dhe në shqiptarë të tjerë që i rastisi të njihet e të bisedojë, e sidomos me Ali Pashën. Prandaj, pos në dhjetëra strofa te “Çajld Haroldi” (këngës së dytë të shkruar me 1812) ku Bajroni u thurë vargje plot lavde shqiptare, heroit kombëtar shqiptar Skëndërbeut si dhe Ali Pashës, ai do t’i pajisë me disa gjeste, tipare, sjellje, cilësi e karakteristika shqiptarësh edhe Gjaurin, edhe Selimin e “Nuses së Abidosit” e edhe kryekusarin Lambros. Së këndejmi, shqiptarët dhe të gjithë ata që i njohin shqiptarët sadopak, do t’i pikasin një mori cilësish e tiparesh shqiptare në poemat orientale bajroniane, cilësi e tipare të cilat romantiku anglez diti t’i tiposë me mjeshtri të rrallë.

Do thënë me këtë rast se interesimi i Bajronit për shqiptarët nuk u përkufizua vetëm me kaq. Bajronit i takon një vend nderi në kronologjinë e mbledhësve të poezisë popullore shqipe. Ne favorin e një pohimi të këtillë flet fakti se Bajroni u interesua për poezinë popullore shqipe dhe s’ngurroi t’i shënonte disa syresh shumë më parë se Hani, De Rada, Kamarada, Mitkua, Dine etj. Tekefundit, ai i entuziazmuar nga këngët shqipe, vargjet mbi shqiptarët ne Këngën e Dytë të “Çajld Haroldit” i mbyll me disa strofa të frymëzuara nga disa këngë popullore shqipe, që i dëgjoi dhe i interpretoi gjatë qëndrimit të tij mes shqiptarëve. “Këto strofa” shënon ai, “u morën pjesërisht nga këngë të ndryshme shqipe, me sa ia dola mbanë t’i kuptojë ato duke i përkthyer nga shqipja ne romanishte dhe italishte”.                                       

 Bajroni dhe Ali Pasha- Shënimi i 200 vjetorit të Ali Pashë Tepelenës me 25 janar 2022  

 Meqë ne fillim të vitit të ardhshëm do të shënohet 200 vjetori i vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, në vijim do të përqëndrohemi te kapitulli i 3-të i pjesës së parë të monografisë së Profesori tonë me titull: Miku i çmuar i Ali Pashës. Ky është njëri ndër kapitujt më voluminozë dhe më të rëndësishëm të kësaj monografie të rrallë, të veçantë dhe mjaft komplekese.

Vlen të vihet në dukje se, me pashallëqet e mëdha kombi shqiptar kishte hedhur një hap të rëndësishëm politik drejt shkëputjes së tij nga pushteti qendror osman. Kjo, natyrisht, rriti interesimin politik të Anglisë dhe të Evropës ndaj Shqipërisë e, në mënyrë të veçantë, ndaj Pashallëkut të Janinës dhe sundimtarit të tij të fuqishëm, Ali Pashë Tepelenës. Rritja e vazhdueshme e këtij pashallëku dhe pjesëmarrja aktive e Alli Pashës në ngjarjet ndërkombëtare të kohës bënë që, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XIX-të, të krijohen kontakte të dukshme shqiptaro-angleze në fushën diplomatike, politike, ekonomike, ushtarake, etj.  Veç kësaj, vdekja tragjike e Ali Pashë Tepelenës më 25 janar 1822 bëri jehonë në Evropë dhe nxiti interesimin në historinë dhe letërsinë e kohës. Kësisoji, përpos  Uilljëm Martin Likut, për Ali Pashën kanë shkruar edhe udhëpërshkrues të shquar anglezë, si: Bajroni, J.C. Hohauzi-i, Dr. H. Hollandi, T.S. Hjuzi-i, C.R. Kokërnelli, etj, të cilët u dërguan nga shteti britanik me misione të veçanta diplomatike, ushtarake e informative në vilajetin e Janinës, që u mirëpritën nga Ali Pashë Tepelena, bashkëpunuan me të dhe u bënë miq të tij.

Por, ndër të parët që kanë shkuar për Ali Pashën është Bajroni. Ai erdhi në Janinë te Ali Pasha si mik i nderuar, së toku me mikun e tij të ngushtë J.C. Hobhauzin. Ai u prit me nderime të mëdha nga veziri, i cili kishte marrë njoftim paraprak nga Liku për ardhjen e një lordi “nga një familje e madhe”.

Profesor Karjagdiu në monografinë e tij i ka kushtuar një vëmendje dhe rëndësi të veçantë takimit të Bajronit me Ali Pashë Tepelën, duke dhënë detaje dhe hollësi relevate, pikante dhe interesante. Lidhur me përshtypjet dhe mendimin e Bajronit për Ali Pashën Dr. Karjagdiu vë në dukje se: “Kur Bajroni po e vizitonte vendlindjen e Ali Pashës, ky i fundit, ishte bërë pothuajse një figurë legjendare. Këngët dhe  mendimet që e glorifikonin suksesin, trimërinë dhe kreshnikërinë e Ali Pashës ishin përhapur jo vetëm në viset ku jetonin shqiptarët, por edhe më tutje, në disa pjesë të Lindjes së Afërme. Personaliteti i fuqishëm i Ali Pashës i la përshtypje të thellë Bajronit. Ndaj, gjatë takimeve me Aliun, Bajroni e pati të qartë se kishte të bënte me një krijesë të rrallë pothuajse titanike njerëzore”. Autori i monografisë po ashtu sqaron se: “Bajroni çuditej se si në vise të tilla primitive dhe ekzotike, ku pasionet ishin aq të rrëmbyeshme dhe ku jeta nuk çmohej gjithaq, një njeri i tillë si Ali Pasha, ia kishte dalur mbanë, që nga bariu dhe cubi i rëndomtë, në saje të zgjuarësisë, trimërisë, dinakërisë, syçelsisë, gjeturisë dhe karakterit, të arrinte që të ngjitej në majën e hieriarkisë së pushtetit feudal, e njëherit të krijojë edhe një lloj pavarësie nga sulltanët e Stambollit”.  Ndërkaq, në fund Dr. Karjagdiu konstaton se: “Kontrastet e mëdha të karakterit të Aliut, e bënin figurën e tij jashëzakonisht tërheqëse për imagjinatën e Bajronit. Aliu, për Bajronin, ish një tiran i pamëshirshëm, me sjellje të buta dhe sharmante, një njohës i thellë i shpirtit dhe zemrës së njeriut, i cili, në rast nevoje, shndërrohej në luan, e herave të tjera, gjithnjë sipas rastit, mund të shndërrohej në njeriun plotë politesë, mirësjellje e fisnikëri”.

Në fund do thënë se, me botimin e një studimi të këtillë ndriçohet jo vetëm përmasa e frymëzimit shqiptar të Bajronit po edhe prania e famës së tij në historinë e kulturës sonë si dhe ndikimi i poezisë së tij në disa rilindas tanë. Veç kësaj, përmes këtij studimi do të plotësohet akoma më tepër një zbrazëti e cila ekzistonte në historikun e raporteve kulturore anglezo-shqipatare në të kaluarën dhe në njëfarë mënyre lahet edhe borxhi që kultura jonë i ka pas mbetur bardit të shquar liridashës të romantizmit anglez dhe evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut po ndalon të qeshurën! DailyMail raporton se…