Për zhvendosjen e MKRS-së në Prizren, ministrja Dumoshi: Ne po vazhdojmë në Prishtinë

20 maj 2020 | 11:46

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi. Dumoshi ka thënë se do të përkrahin shumë projekte për Prizrenin dhe ka lavdëruar këtë qytet për diversitetin kulturor.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar. Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për muzeun e filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim në buxhetin e vitit 2021 që të fusim edhe një sallë sportive”, ka thënë ajo.

Dumoshi ka premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren. Ndërsa lidhur me zhvendosjen e disa departamenteve të ministrisë në Prizren, ka thënë se do të shohin për hapat e mëtejmë.

“Ne jemi në Prishtinë, Prizreni identifikohet si qytet me traditë, por këtu i kemi zyrtarët e ministrisë të cilët punojnë në zyrën që u hap si ministri. Ne po vazhdojmë në Prishtinë, por do të shohim cilat do të jenë hapat”, ka bërë me dije ajo.

Për këtë çështje foli edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka thënë se për këtë çështje i mbetet ministrisë të vendosë. “Gjithmonë ka qenë që disa departamenteve kalojnë në Prizren, por prej 2018-s e 2019-s nuk ka pasur lëvizje. Kanë qenë kontrata mbi vepër që as ne e as ata s’e kanë ditë çka po bëjnë. Ne jemi të interesuar, por kjo mbetet në vendimin e ministrisë dhe qeverisë”, ka thënë Haskuka dhe ka shtuar se ministren Dumoshi kanë diskutuar për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë.

“Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiric. Ky projekt do të kryhet në vitin 2020. Janë realisht projekte të vogla nëpër fshatra, por me rëndësi.

Sot, pos kësaj marrëveshje, diskutuam edhe për mbarëvajtjen e projekteve të tjera. Tash do të dalim në terren, aty ku po zhvillohen projektet. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, ka falënderuar Haskuka ministren Dumoshi

Në këtë vizitë po merr pjesë edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi.

Vizitën ministrja Dumoshi do ta vazhdojë te fusha sportive në fshatin Lubinjë e Epërme, te poligoni sportiv në Mushikovë, te pishina olimpike si dhe te stadiumi “Përparim Thaçi”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përiudha e pandemisë, për shkak të ngujimit, pritet të jet…