‘Perandoria’ sekrete në Londër! Djali i Khamenei-t kontrollon 250 mln € prona pranë ambasadës së Izraelit?
Një investigim i publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera hedh dritë mbi një rrjet pronash luksoze të lidhura me familjen e udhëheqjes iraniane në Londër, të cilat sipas dyshimeve mund të jenë përdorur edhe për qëllime spiunazhi. Artikulli fokusohet te pasuritë e Mojtaba Khamenei-t, djali i udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, dhe mënyra se si ato janë blerë përmes rrjeteve të ndërmjetësve dhe kompanive offshore.
Sipas raportimit, Mojtaba Khamenei kontrollon një portofol pronash në kryeqytetin britanik me vlerë rreth 250 milionë euro.
Mes tyre përfshihen 11 vila luksoze në lagjen Hampstead, një zonë shumë ekskluzive e Londrës e njohur si “Rruga e Miliarderëve”, si dhe dy apartamente luksoze pranë rezidencës mbretërore Kensington Palace, ku jetojnë Princi William dhe Kate Middleton.
Por ajo që ka ngritur më shumë shqetësime tek shërbimet e inteligjencës është fakti se këto dy apartamente ndodhen më pak se 50 metra larg ambasadës së Izraelit në Londër.
Sipas një hetimi të Bloomberg, ato u blenë mes viteve 2014-2016 me fonde që dyshohet se vinin nga të ardhurat e naftës iraniane të siguruara duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare. Zyrtarisht, pronat rezultojnë të regjistruara në emër të Ali Ansari, një oligark iranian dhe mik i afërt i familjes Khamenei, i cili dyshohet se ka vepruar si “pronar figurant” për transaksionet.
Dy apartamentet pranë Kensington Palace sot vlerësohen rreth 60 milionë euro. Ato u blenë pak kohë pasi, në vitin 2013, përmes një kompanie guaskë të regjistruar në Isle of Man, u realizua edhe blerja e 11 vilave në Hampstead. Përfituesi përfundimtar i kompanisë ishte po Ali Ansari.
Qeveria britanike i ka ngrirë këto prona, pasi Ansari u vendos nën sanksione për shkak të dyshimeve se ka financuar Gardën Revolucionare të Iranit.
Megjithatë, shqetësimi kryesor i inteligjencës lidhet me dy apartamentet që mbikëqyrin drejtpërdrejt ambasadën izraelite.
Nga këto pozicione, sipas ekspertëve të sigurisë, do të ishte e mundur të fotografoheshin personat që hyjnë dhe dalin nga ambasada, të dëgjoheshin bisedat në kopshtin e saj, madje edhe të monitorohej trafiku i internetit.
“Ky nuk është thjesht një portofol pronash, por një platformë e përhershme vëzhgimi”, citohet të ketë thënë një burim i sigurisë për Daily Mail.
Shqetësimet janë shtuar edhe nga një zhvillim i fundit në Londër: vetëm pak ditë më parë, katër shtetas iranianë me pasaporta britanike u arrestuan nën dyshimin se po spiunonin objekte dhe figura të komunitetit hebre, veçanërisht sinagogat e qytetit. Autoritetet dyshojnë se aktiviteti i tyre mund të ketë qenë pjesë e përgatitjeve për një sulm antisemit, si hakmarrje për sulmet ajrore izraelito-amerikane ndaj Iranit.



