Përballë një akuze pa prova

28 shkurt 2026 | 08:34

Përkitazi librit ,,Drejtësia pa llogaridhënie” të Ibish Nezirit, botim i ShB-së ,,Armagedoni”, Prishtinë, 2026

(Shprehjen ,,pa llogaridhënie” nuk duhet kuptuar ad literam)

Hyrje

Të nderuar të pranishëm,

Libri që po promovojmë sot, këtu në Shkup, ,,Drejtësia pa llogaridhënie” i autorit Ibish Neziri, botuar në dy gjuhë: shqip – anglisht, për aq sa di unë është libri i dytë, pas atij të Akademik Arsim Bajramit ,,Gjykata Speciale  – Midis të vërtetës dhe mashtrimeve” (Prishtinë, 2025) që merren me problemin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në fakt, më herët, më 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, patën botuar në një vëllim të përbashkët punimet e Sesionit shkencor të mbajtur më 7 mars 2022 në Prishtinë me temën bosht ,,UÇK-ja vlerë kombëtare”.

Në atë libër qenë përfshirë punimet shkencore të pjesëmarrësve të 8 institucioneve shkencore dhe kulturore mbarëshqiptare në krye me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë, të cilat, në nëntor të vitit 2020, pak më shumë se dy javë pas arrestimit të drejtuesve më të lartë të UÇK-së patën dalë me një deklaratë të përbashkët, si reagim ndaj fillimit të fushatës së arrestimeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe drejtuesve të saj nga këto dhoma.

Reagimi i atëhershëm i drejtuesve të këtyre 8 institucioneve, njëri prej tyre ishte edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, tek i cili po e bëjmë sot këtë promovim, ishte rrjedhojë e një dyshimi të bazuar për një fillim të keq të punës së këtyre dhomave, ngase nuk na pëlqente qasja selektive e cila ishte normëzuar me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Atëbotë, reagimi i atyre tetë institucioneve[1], sado që ishte në fillim të punës së DHSK-së, u kalua disi në heshtje, ndërkaq Dhomat e Specializuara vazhduan me aktivitetin e tyre, pa asnjë lloj mbikëqyrjeje dhe kontrolli nga institucione vendore të Kosovës, apo ndonjë mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.

Mungesa e kësaj mbikëqyrjeje, si duket i ka dhënë liri të pakufizuar stafit të këtyre dhomave, që të veprojnë si të duan me arbitraritet të pakufizuar, pa përfillur, jo vetëm legjislacionin e shtetit të Kosovës, Kuvendi i të cilit i ka themeluar ato, por as standardet dhe Konventat ndërkombëtare që rregullojnë problemin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Nga fusha akademike, atë heshtje e theu prof. dr. Arsim Bajrami me librin ,,Gjykata Speciale  – Midis të vërtetës dhe mashtrimeve”, dhe tani pas tij është dhe Ibish Neziri me librin për të cilin jemi tubuar sot këtu.

Këta dy libra, ,,Gjykata Speciale” e Arsim Bajramit dhe ,,Drejtësia pa llogaridhënie”, ndryshe nga ai botimi i veçantë ,,UÇK – vlerë kombëtare” i vitit 2022, janë produkt të vëzhgimit dhe analizës së një praktike të deformuar në aspektin juridik, e cila, pa dyshim që në analet e historisë së praktikave gjyqësore do të trajtohet si një precedent i veçantë.

Autorët e këtyre dy librave, tani nuk u qasen proceseve që kanë zhvilluar dhe po zhvillojnë këto dhoma kundrejt drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së nga pozita e dyshimit dhe e frikës së të panjohurës, por nga faktet që ka prodhuar praktika dhe vendimet e këtyre Dhomave. Pra, analizat e këtyre autorëve nuk janë të bazuara në intuitë dhe frikë për rrezikun e një deformimi, por mbi veprime faktike të cilat u mundësojnë atyre të konstatojnë shkeljet e panumërta që këto dhoma kanë bërë dhe po bëjnë edhe sot e kësaj dite.

Derisa libri i parë ,,UÇK – vlerë kombëtare” ishte një lloj reagimi më tepër mbi bazën e një intuite, dy librat e fundit, ,,Gjykata Speciale” e Arsim Bajramit dhe ,,Drejtësia pa llogaridhënie” janë produkt të vëzhgimit dhe analizës së një praktike të deformuar në aspektin juridik, e cila, pa dyshim që në analet e historisë së praktikës gjyqësore do të trajtohet si një precedent i veçantë.

Pyetje që duan përgjigje

Libri ,,Drejtësia pa llogaridhënie” hapet me një parathënie të shkurtër nga autori i kësaj reçence dhe vazhdon me 19 pjesë të një tërësie të analizës së problemit të formimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara si dhe anomalive që janë shfaqur nga ana e tyre në proceset e deritanishme.

Në fund, është një biografi e shkurtër për autorin e tij, Ibish Nezirin.

Në librin ,,Drejtësia pa llogaridhënie”, autori, duke iu referuar praktikës së deritanishme të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk ndalon vetëm në mungesën e llogaridhënies së këtyre Dhomave, siç na shfaqet që në titull që tanimë duket qartë se ka rezultuar me deformim të drejtësisë, por shkon përtej saj, duke shtruar disa pyetje që domosdoshmërisht duan përgjigje.

Por, para se të kalojmë te këto pyetje le të shohim se cilat janë premisat e këtij libri sipas vet autorit.

Që në fillim, Neziri e informon lexuesin se ,,Një nga premisat themelore të këtij libri është se Dhomat e Specializuara nuk janë produkt i një nevoje juridike autonome, por rezultat i një procesi politik dhe institucional që buron drejtpërdrejt nga Raporti i Dick Martyt dhe nga mënyra se si ai raport u instrumentalizua në arenën ndërkombëtar”[2], për të vazhduar me konstatimin se ,,Kjo gjykatë nuk u ngrit si përgjigje ndaj një boshllëku universal të drejtësisë, por si mekanizëm i jashtëzakonshëm, me juridiksion të kufizuar në mënyrë selektive dhe me një mandat që në praktikë ka prodhuar një drejtësi asimetrike[3].

Në thelb të kësaj drejtësie asimetrike, sipas autorit ,,qëndron një fakt i pakontestueshëm: Dhomat e Specializuara merren ekskluzivisht me krime të supozuara të shqiptarëve, ndërkohë që krimet e kryera nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë, përfshirë krime masive ndaj civilëve shqiptarë, nuk janë objekt i juridiksionit të tyre”[4].

Kjo gjë paraqet një anomali të llojit të vetë për praktikën e drejtësisë, jo vetëm kosovare, por dhe përtej saj.

Për këtë arsye, sipas asaj që shpaloset në këtë libër, shohim se sot jemi para një fakti, ku në emër të drejtësisë, si në asnjë rast tjetër, janë bërë shkelje të të drejtave të të akuzuarve për të qenë palë të barabarta me organin e akuzës: Janë bërë shkelje me paraburgimin e tejzgjatur; janë bërë shkelje në të drejtën e shfrytëzimit të lejeve të natyrës humane (moslejimi i vizitave të të akuzuarve në raste sëmundjesh apo vdekjesh të anëtarëve të familjes së ngushtë); janë bërë shkelje të të drejtave të identifikimit dhe dinjitetit kombëtar (J. Krasniqit i hiqet kravata për shkak të ngjyrave kuq e zi, ndërsa më 28 Nëntor 2025, mbahet seancë gjyqësore e procesit të dytë kundër Hashimm Thaçit); janë bërë shkelje të identifikimit shtetëror. Këto Dhoma, nuk kanë asnjë shenjë dalluese të shtetësisë së Kosovës – shtetit, organi legjislativ i të cilit i ka themeluar. Bile, edhe vizitën e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, këto dhoma ia lejojnë me kufizime të shumta, kundrejt të cilave, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, më 20 nëntor 2025 ka lëshuar një Komunikatë për shtyp.[5]

Për autorin e këtij libri, këto shkelje nuk janë devijim i një rrugëtimi, por produkt i një fillimi të dyshimtë ndaj çështjes së Kosovës së çliruar, i cili pikën e vet kulminante e ka arritur me formalizimin institucional të Raportit të Dik Martit me Rezolutën e KE-së, më 2011.

Sipas Ibish Nezirit, as këtu nuk është fillimi. Përmes pyetjeve që shtron ai në libër për disa çështje, historia e kësaj nisme shkon dhe përtej kësaj kohe, por që vet autori nuk merr mundin t’u japë përgjigje, pasi që konsideron se përgjigjet në ato pyetje duhet t’i japin institucionet e specializuara të hetuesisë dhe të drejtësisë.

Pyetjet që shtron autori, për fat të keq, deri tani, nuk janë bërë, as nga institucionet kompetente, por as edhe nga njerëz të publicistikës dhe të historisë. Dhe pasi që nuk janë bërë s’ka pasur si të merren përgjigjet.

Në këtë mënyrë, për mendimin tim, Ibish Neziri prek thelbin e çështjes së mënyrës së formimit të këtyre dhomave. Ato janë formuar si rrjedhojë e një deformimi të së vërtetës dhe, për fat të keq, sipas autorit, në mungesë të llogaridhënies, vazhdojnë të jenë në funksion të deformimit të drejtësisë dhe të historisë së një lufte që e kemi përjetuar, shumica prej nesh në këtë sallë, gjatë viteve 1997-1999.

Pas miratimit të Rezolutës së Këshilli i Evropës në bazë të Raportit Marti, në janar të vitit 2011, Kosovës i është imponuar formimi i entiteteve juridike: Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës, për të cilat, institucionet e Kosovës, në fillim nuk është se nuk kishin rezerva, por nuk e patën kundërshtuar dhe penguar formimin e tyre, ngaqë pretendimet e atij raporti (Raportit Marti) ishin aq të pakuptimta sa që askush nuk ka menduar që një njeri normal mund ta besonte një gjë të tillë, e le më ta provonte me ndonjë të dhënë si diçka të vërtetë. Pretendimet për trafikim organesh nga një guerile që ushtarët i vdisnin për një infuzion, dhe të kryera në një vend ku energjia elektrike ishte diçka e dëshirueshme për të paktën gjysmën e ditës prej 24 orësh, ishte gjëja më absurde që mund të mendojë njeriu.

Megjithatë, ky Raport u formalizua dhe u institucionalizua nga KE, pas të cilit fillimisht u bënë hetime nga një Task Force që konstatoi se nuk kishte trafikim organesh.

Dhe pyetja që shtron autori, se pse me aq ngulm u pretendua për të bërë hetime dhe u hetua për trafikim organesh atje ku nuk kishte kushte për gjëra të tilla dhe, mbi të gjitha, nuk kishte as kufoma, ndërkaq u hesht për 744 kufomat që janë gjetur në Batajnicë – vetëm 20 km larg VMA-së (Vojna Medicinska Akademia) Akademisë Mjekësore Ushtarake, ku rreth tri dekada më herët kishte filluar transplantimi i organeve?, ngre një dyshim të bazuar për një qëllim jo të mirë ndaj Kosovës dhe lirisë së saj.

Kjo mënyrë e shtruarjes së kësaj pyetje, pa çka se ka dhe diçka retorike brenda vetes, për lexuesin paraqet një enigmë më vete, së cilës, derisa nuk i jepet përgjigje e plotë nga organe kompetente, do të jetë në funksion të heshtjes së të vërtetës së asaj kohe dhe të prodhimit të deformimeve në fushën e drejtësisë, edhe në të ardhmen, si deri tani.

Dhe përgjigjen, autori, as nuk përpiqet ta japë vetë, edhe pse siç thash më parë ka diçka retorike në pyetjen që e shtron, por as nuk e kërkon një gjë të tillë nga akëcili njeri, por nga institucione të specializuara dhe komptente për këtë çështje.

Për mendimin tim kjo është pjesa më e vlershme e librit, sepse shtron kërkesën për një rikthim të hetimeve më cilësore dhe më të plota, sidomos për ato kufoma që janë gjetur në Batajnicë. Pra, rikthim i hetimeve për trafikim të organeve atje ku janë gjetur kufoma, ku për të ardhur deri te e vërteta duhet të konstatohet se si u dërguan ata njerëz deri atje? Të gjallë apo të vdekur? Cili ka qenë shkaku i vdekjes së tyre? E jo hetimet të kufizohen vetëm në identifikimin e tyre, siç kanë vepruar mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë menjëherë pas luftës, duke u mjaftuar me atë identifikim por pa e hetuar edhe mënyrën e vrasjeve.

Mungesa e një hetimi të tillë, ka krijuar një vakum që Serbia e ka shfrytëzuar për ta mbushur me akuzën për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe t’ia katapultojë atë atë akuzë, përmes një Senatori fodull, faktorëve relevantë evro-amerikanë dhe t’i fusë ata në lajthitje për të bërë hetime atje ku nuk kishte as  kufoma dhe as kushte, por ta fshehë VMA-në, faktin, ku kishte një traditë prej dekadash për transplantim organesh dhe kishte 744 kufoma shqiptarësh.

Ibish Neziri, me të drejtë ngre dyshimin në formë teze që nxjerrja e organeve mund të jetë bërë nga vetë Serbia. Por, kjo e fundit shfrytëzon vakumin e mungesës së hetimeve të duhura dhe këtë pretendim makabër, ia atribuon UÇK-së. Një fenomen i tillë është i njohur për psikologjinë dhe quhet ,,Projeksion i vetvetes”, që nënkupton një shtrembërim të së vërtetës, kur, njëra palë ai atribuon tjetrës ndjenjat, mendimet, tipare që i ka vetë dhe veprimet që i ka bërë ose mund t’i bëjë vetë. Pikërisht këtë hamendësim shtron Ibish Neziri, kur bën fjalë për akuzën për trafikim organesh nga UÇK-ja.

Një gjë të tillë Serbia e ka praktikuar edhe më parë.

Le të kujtojmë këtu akuzën e kohës së Luftës, kur për rastin ,,Panda” në Pejë e pat akuzuar UÇK-në se ka vrarë gjashtë të rinj serbë, por që më vonë, prej vetë zyrtarëve të lartë të këtij vendi përfshi edhe kryetarin Alksandër Vuçiqi i cili ka pohuar se i dinë vrasësit, por kurrë nuk janë bërë publikë emrat e tyre dhe nuk është ndërmarr ndonjë veprim nga drejtësia e këtij shteti për të hetuar dhe dënuar kryerit e atij veprimi kriminal.

Tani, familjarët e të vrarëve të 14 dhjetorit 1998 në Pejë, po kërkojnë që Prokuroria ta intervistojë Aleksandër Vuçiqin në lidhje me këtë akt terrorist,[6] për të cilin, kohë më parë, ,,ish-prokurori i Serbisë për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq, për BIRN-in kishte deklaruar se pas hetimeve “Ne arritëm në përfundimin se shqiptarët nuk janë autorët e krimit,”[7], sepse ishte fakt i njohur që në rajonin e Pejës, në kohën e sulmit në “Panda Café”, nuk kishte “pothuajse asnjë shqiptar”.[8]

Neve natyrshëm na imponohet pyetja: Nëse shqiptarët nuk paskëshin qenë autorët e krimit, siç keni akuzuar në krye të herës dhe më shumë se një dekadë më vonë duke e akuzuar UÇK-në, atëherë kush ishin vrasësit e tyre, për të cilët Aleksandër Vuçiqi deklaron se ,,i dinë emrat”?!

Neziri ngre dyshim. Të vërtetën e kërkon që ta zbulojnë organet kompetente.

Siç e dimë, Kosovës iu kërkua me imponim që t’i formonte Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe ajo e bëri këtë gjë me amendamentim të Kushtetutës dhe me Ligjin e veçantë të miratuar në gusht të vitit 2015.

Këto dhoma, sipas autorit të këtij libri, tani janë shndërruar në një teatër absurd, në skenën e të cilit po luhen pjesë tragjikomike që, nëse vazhdohet kështu edhe me drejtuesit e UÇK-së, siç është vepruar me Pjetër Shalën, me Salih Mustafën – Calin, po pse jo edhe me Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin, verdikti i tyre do të rezultojë me pasoja jo vetëm për ato katër personalitetet që kanë qenë dhe janë subjekte të hetimit dhe gjykimit, por pasojat më të mëdha do t’i kenë, e kaluara historike prej së cilës ka rezultuar shtetësia e Kosovës dhe sidomos e ardhmja, jo vetëm e saj, por e tërë kombit shqiptar dhe përtej tij.

Një çështje tjetër, dëshmitarë të të cilës jemi secili prej nesh, që ka tërhequr vëmendjen e autorit është dhe koha e gjatë e paraburgimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi që, sipas autorit, bie ndesh me standardin e përcaktuar nga GjEDNj. GjEDNj në lidhje me paraburgimin saktëson se ,,dyshimi i arsyeshëm” mund ta justifikojë paraburgimin vetëm në fazat fillestare të procedurës, por me kalimin e kohës ai humbet forcën e tij legjitimuese. Në këtë kuptim, kalimi i kohës punon në favor të lirisë, jo kundër saj.[9]

Në rastin e gjykimit të krerëve të UÇK-së nga Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, jo vetëm që nuk zbatohet ky standard, por, sikur të mos ishte e mjaftueshme masa e paraburgimit, sa vijnë e shtrëngohen kufizimet tjera.

Ish-Presidentit Thaçi, trupi gjykues ia ndalon edhe kontaktet me vëllezërit, gjë që, sipas autorit të librit, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si mohim i të drejtave themelore, shkelje e dinjitetit njerëzor dhe tentativë për izolim total të një të pandehuri.

Përtej këtyre masave vjen në radhë vetëm ajo e ndalimit të ushqimit.[10]– shprehet në formë konkludimi për këtë rast, Ibish Neziri, me një dozë zemërimit të përmbajtur.

Përveç këtyre, lexuesi, në këtë libër do të gjejë edhe disa pyetje të tjera që shtron autori në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë e të cilat kanë mbetur pa përgjigje. Mungesa e përgjigjeve të tyre dhe sidomos mungesa e një mbikëqyrjeje të Dhomave të Specializuara, janë parakushtet themelore që kanë mundësuar promovimin e një drejtësie pa llogaridhënie, gjë që paraqet shkelje jo vetëm të normave kushtetuese dhe ligjore vendore (të Kosovës), por edhe të standardeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.

Këto janë disa nga çështjet dhe shqetësimet thelbësore që ngre autori në këtë libër e të cilat, për mendimin tim paraqesin një kontribut të veçantë për të këtij autori për ndriçimin e së vërtetës për luftën e UÇK-së, për tendencën e e rrezikshme për shtrembërimin e kësaj të vërtete dhe sidomos për shkarjen e drejtësisë në kthetrat e kësaj tendence.

Përfundim

Ibish Neziri është njeri që moshën e jetës së vet e ka të ndarë në dy pjesë. Gjysmën e parë të saj e ka jetuar në një sistem monist (në ish-Jugosllavi), ku ka qenë edhe i burgosur e i përndjekur, ndërkaq gjysmën tjetër në Evropën Perëndimore (në Zvicër), në një hapësirë ku liritë dhe të drejtat e njeriut kanë qenë dhe janë të shenjta.

Meqenëse në pjesën e dytë të jetës së tij ka, për së afërmi e ka prekur dhe e ka provuar shijen e demokracisë dhe të lirisë së Evropës Perëndimore, dhe për faktin e të qenit gazetar dhe redaktor (në pjesën më të madhe të kohës) i disa medieve të shkruara dhe audiovizuale perëndimore dhe properëndimore (medieve kroate ,,Hrvatska Danas” e ,,Hrvatska Domovina”, ,,RTV ABC” – radiotelevizion australian, revistës mujore zvicerane ,,Arbeitsmarkt Agenda” – Cyrih, Radios ,,Zëri i Kosovës” Kopenhagë” etj.), nuk ka mundur të rrijë duarkryq përballë një padrejtësie që po i bëhet një vlere historike të shqiptarëve, por edhe përballë një rreziku që është shndërruar në precedent për drejtësinë në përgjithësi.

Libri ,,Drejtësi pa llogaridhënie” është një reagim racional i autorit, i cili është konceptuar, mbarështuar dhe botuar, siç e thotë vetë ai, ,,Jo për të mbrojtur individë dhe as për t’i relativiziuar krimet, por për të analizuar një proces që,  me kalimin e kohës, ka nxjerrë në pah mospërputhje serioze ndërmjet parimeve të shpallura të drejtësisë ndërkombëtare dhe praktikës së saj konkrete ndaj Kosovës.”[11] dhe ,,jo për të mohuar krime lufte, por për të mos pranuar pa prova një akuzë që kërkonte standardin më të lartë të verifikimit”.[12]

Bedri Zyberaj

Prishtinë, janar-shkurt 2026

Fjalë rasti në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, më 25 shkurt 2026, në përurimin e librit “Drejtësia pa llogaridhënie” të Ibish Nezirit.

[1] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, Insitituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithsme e Arkivave e Shqipërisë, Insituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore – Shkup, Muzeut Kombëtar i Shqipërisë, Instituti i Historisë ,,Ali Hadri”, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës.

Kanë qenë të ftuar që t’i bashkohen atij reagimi dhe ta nënshkruanin atë deklaratë edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ,,Pjetër Bogdani”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave Albanologjike – Tiranë,  por drejtuesit e këtyre institucioneve, në atë kohë, patën refuzuar.

[2] Ibish Neziri, Drejtësia pa llogaridhënie, ShB ,,Armagedoni” Prishtinë 2026, fq. 12

[3] Po aty, Fq. 12

[4] Po aty. Fq. 12

[5] https://oik-rks.org/2025/11/20/komunikate-per-shtyp-ne-lidhje-me-viziten-e-tij-te-fundit-te-dhomat-e-specializuara-te-kosoves-ne-hage/

[6] https://telegrafi.com/babai-kerkon-qe-vuciq-te-intervistohet-ne-lidhje-me-vrasjen-e-te-birit-cfare-ndodhi-ne-kafenene-panda/

[7] https://thegeopost.com/lajme/serbia-dhe-rasti-panda-kur-propaganda-serbe-vret-edhe-te-rinjte-e-vet/

[8] https://thegeopost.com/lajme/serbia-dhe-rasti-panda-kur-propaganda-serbe-vret-edhe-te-rinjte-e-vet/

[9] Ibish Neziri, Drejtësia pa llogaridhënie, ShB ,,Armagedoni” Prishtinë 2026, fq. 23

[10] Po aty fq. 67

[11] Po aty fq. 16

[12] Po aty fq. 35

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër i veteranëve të UÇK-së po ankohen se nuk…