Perceptimi për zgjedhje shembullore ishte i ngutshëm

26 tetor 2019 | 12:39

Ish-anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku, ka deklaruar se perceptimi që Kosova ka organizuar zgjedhje shembullore ishte i ngutshëm.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar se të metat e këtij procesi filluan të shfaqen pas ditës së zgjedhjeve.

Maloku ka bërë me dije se vetëm një reformë e mirëfilltë zgjedhore do t’i eliminonte anomalitë e sistemit aktual zgjedhor.

Sipas tij, reforma zgjedhore duhet ta eliminojë përfaqësimin politik në KQZ, duhet të ndryshojë mënyra e përzgjedhjes së komisionarëve dhe të centralizohet numërimi i votave për kandidatët për deputetë.

“Epoka e re”: Z. Maloku, vlerësimeve të përgjithshme, se Kosova më 6 tetor ka zhvilluar proces të mirë zgjedhor, u ka humbur shkëlqimi. Pse?

Maloku: Mua po më duket se perceptimi ynë i parë, se zgjedhjet kanë qenë të përkryera, ka qenë i ngutshëm. Krahasimin për organizimin e këtyre zgjedhjeve nuk e kemi bërë me zgjedhjet të cilat i organizojnë shtetet e rajonit dhe vendet që kanë traditë të gjatë demokratike. Krahasimin e kemi bërë me zgjedhjet tona të mëparshme. Pra, këtë proces e kemi krahasuar me shtatë palë zgjedhjet që i kemi organizuar deri me tani. Do të thotë, perceptimi ynë për zgjedhje shembullore ishte i ngutshëm për shkak se, siç po shihet, zgjedhjet nuk kanë mbaruar ende dhe që po stërzgjatet procesi dhe po dalin dobësi të ndryshme.

Epoka e re”: Si do të mund të eliminohen këto dobësi?

Maloku: Këtu më së shumti janë bërë vërejtjet brendapartiake, pra te komisionet partiake sesa në mes të partive. Pra, vërejtjet ndaj procesit kryesisht kanë qenë për vjedhje brenda llojit. Kjo na bënë të jemi shumë të kujdesshëm dhe ta shikojmë mundësinë e një reforme të mirëfilltë zgjedhore, e cila do ta ndryshonte ligjin aktual zgjedhor.

Epoka e re”: Çfarë do të duhej të ndryshohej në ligjin aktual zgjedhor?

Maloku: Vetëm një reformë e mirëfilltë zgjedhore do t’i eliminonte anomalitë e sistemit aktual zgjedhor. Tanimë kemi organizuar disa palë zgjedhje me këtë ligj dhe i kemi vërejtur mirë dobësitë e këtij ligji. Në reformën e ardhshme zgjedhore do të duhej të eliminohej përfaqësimi politik në KQZ. Anëtarët e KQZ-së nuk do të duhej të ishin përfaqësues të subjekteve politike. Anëtarët e KQZ-së do të duhej të ishin gjyqtarë të dëshmuar në karrierën e tyre. Paramendoni 40 për qind të anëtarëve në KQZ përfaqësojnë komunitetet, kurse 60 për qind përfaqësojnë shqiptarët. Kjo nuk ndodh askund në botë. Ky është diskimin pozitiv i cili në reformën e ardhshme duhet të ndryshojë. Kjo reformë do të duhej t’i parashihte si anëtarë të KQZ-së shtatë gjyqtarë. Njëri prej tyre do të duhej t’u takonte minoriteteve por, me rotacion. Me ndryshimin e ligjit zgjedhor do të duhej të eliminoheshin edhe dobësitë e tjera që po i shohim tani. Deri më tani ne i kemi organizuar shtatë palë zgjedhje. Këto dëshmojnë se ne kemi një traditë të mirë për organizimin e zgjedhjeve. Këto do të na ndihmojnë të përmirësohemi në këtë drejtim. E vjedhja brenda llojit duhet të eliminohet. Komisionarët janë alfa dhe omega e procesit zgjedhor. Dhe, siç dihet, në procedurat e përzgjedhjes së komisionarëve nuk ka asnjë kriter që i disiplinon apo i obligon ata që gjatë procesit zgjedhor të jenë shumë të vëmendshëm dhe të mos e bëjnë bartjen e votave në mënyrë të paligjshme nga një kandidat te tjetri. Si pasojë e këtij ligji, mbi 10 për qind e votave janë të pavlefshme. Dobësi tjetër e këtij ligji është përcaktimi i Kosovës si një zonë zgjedhore. Pastaj, pse një qytetar duhet t’i votojë pesë kandidatë për deputetë. Reforma zgjedhore, po ashtu, duhet ta përfshijë spastrimin listave, sepse te ne ende “votojnë” të vdekurit.

Epoka e re”: Do të ishte mirë që komisionarët të ishin jopolitikë?

Maloku: Komisionarët tani i zgjedhin partitë. Vetë fakti se ata i zgjedhin partitë, komisionarët mund të jenë njerëz që janë të gatshëm të veprojnë jo në mënyrë të drejtë. Sa kam qenë anëtar i KQZ-së kam njohur njerëz që kanë qenë në gjendje të korruptohen. Do të ishte mirë që të ndryshohet kjo mënyrë e përzgjedhjes së komisionarëve. Ata duhet të përgatiten për këtë çështje nëpërmjet projekteve edukative, ose të forcohen masat ligjore për ata që përpiqen ta devijojnë vullnetin e qytetarëve.

Epoka e re”: Meqenëse deformimi po ndodh gjatë numërimit të votave për kandidatët, çfarë duhet të bëjmë që të eliminohet kjo?

Maloku: Edhe kjo çështje duhet të ndryshohet. Gjithashtu, duhet të heqim dorë nga numërimi fizik i fletëvotimeve, sepse gjatë këtyre proceseve ekziston mundësia edhe prishjes së fletëvotimeve në mënyrë të qëllimshme. Duhet të shikohet mundësia e numërimit elektronik të votave.

Epoka e re”: Janë bërë shumë kërkesa nga kandidatë për deputetë dhe parti politike për rinumërim të përgjithshëm të votave. A duhet të rinumërohen?

Maloku: U takon institucioneve për menaxhimin e zgjedhjeve të vlerësojnë nëse ka bazë për rinumërim të përgjithshëm në nivel vendi, kurse partive politike u takon të ankohen nëse kanë prova për këtë çështje. Di që rinumërimi do ta zgjaste shumë këtë proces. Nëse ndodh kjo, me siguri se ky proces do të zgjaste edhe një muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas numërimit të  gjitha votave me kusht, sipas analistit dhe…