
Përdhosja e flamurit kombëtar, policia: Të miturit janë intervistuar, ata janë penduar
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë me dije se sot (e enjte) janë intervistuar dy të miturit, të cilët janë parë në një video-regjistrim duke e realizuar veprime të papërshtatshme ndaj flamurit kombëtar.
Ai ka treguar se të miturit nga Studençani i Suharekës janë intervistuar në prani të prindërve të tyre.
Sipas Bytyqit, të miturit janë penduar për veprimin, duke thënë se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi e flamurit.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar. Prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Rasti është mbyllur me raport njoftues”, ka thënë Bytyqi për “Klan Kosova”.