
Perëndimi heq kufizimet ndaj Ukrainës për armët me rreze të gjatë, mund t’i sulmojë pozicionet ushtarake në territorin rus
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka konfirmuar se vendet perëndimore aleate të Ukrainës nuk po vendosin më kufizime për distancën e armëve që i dërgohen Kievit.
Sipas “The Guardian”, gjatë një forumi diskutimi të organizuar nga kanali WDR, kancelari Merz është shprehur me fjalët: “Nuk ka më asnjë kufizim për distancën e armëve që i dërgohen Ukrainës as nga Britania e Madhe, as nga Franca, as nga ne. Nuk ka asnjë kufizim edhe nga ShBA-ja”.
Kancelari ka shtuar se: “Kjo do të thotë që Ukraina tani mund të mbrohet, për shembull, duke sulmuar pozicionet ushtarake në territorin e Rusisë. Derisa deri kohët e fundit, Ukraina nuk mund ta bënte këtë, dhe përveç disa rasteve të rralla, nuk e kishte bërë asnjëherë”.
Kujtojmë se Ukraina për herë të parë përdori raketa balisitike me rreze më të gjatë, pasi mori dritën jeshile nga Uashingtoni, ndërsa deri më tani ka pasur hezitime për miratimin e përdorimit të tyre për shkak të frikës së një eskalimi të konfliktit.