Përfaqësuesit e bizneseve diskutojnë me ministrin Kuçi për rimëkëmbjen ekonomike

10 gusht 2020 | 15:36

Përfaqësuesit e bizneseve  tëOdës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë organizuar  një konferencë virtuale me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në të cilën u diskutua për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, si dhe mundësitë e Qeverisë për përkrahje ndaj sektorit privat. Gjatë kësaj konference Kuçi foli për strategjitë dhe arritjen e rimëkëmbjes së mirëfilltë ekonomike, mbështetjen e Qeverisë për ndërmarrjet private të të gjithë sektorëve, si dhe ndryshimet e nevojshme në aspektin ligjor për të mundësuar implementimin e masave për rimëkëmbje. Kështu thuhet në njoftimin e Odës Amerikanë të Kosovës.

Drejtoriekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, bëri thirrje për përshpejtim të procedurave për miratimin e projektligjeve të cilat sigurojnë mbështetje ndaj sektorit privat, derisa theksoi se anëtarët e Odës Amerikane në mënyrë konstante kanë dhënë rekomandime për Qeverinë në mënyrë që ajo t’i dalë në ndihmë ekonomisë së venditnë këtë situatë krize.

Kurse, Kuçi theksoi se puna e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit bazohet në plan-programin për reformë ekonomike 2020-2023, ndërsa përmban edhe në të masa të destinuara për rimëkëmbje ekonomike, përmes së cilave synohet t’u ofrohet mbështetje të gjitha ndërmarrjeve private të goditura nga kriza e shkaktuar pas shpërthimit të pandemisë.

Sipas Kuçi, projektligji për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë Covid-19 përfshin lehtësimin për qasje në financa, zvogëlimin e barrës tatimore, mbështetjen e punësimit, subvencionimin e pagave të punëtorëve në sektorin privat, si dhe stimulimin e përgjithshëm të kërkesës agregate.

“Duke e marrë parasysh ndikimin e pandemisë Covid-19, investimet kapitale të parapara për këtë vit janë përgjysmuar në mënyrë që të krijohen fondet e nevojshme për rimëkëmbje”, ka thënë Kuci.

Ai gjithashtu përmendi se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, Qeveria mbetet e fokusuar në implementimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, derisa tha se strategjitë e përdorura janë në koordinim me mekanizmat dhe praktikat e institucionevendërkombëtare.

Sipas Odës Amerikanë, gjatë kësaj konferencë përfaqësuesit e ndërmarrjeve anëtare të Odës Amerikane, si dhe kryesuesit e komiteteve të ndryshme brenda kësaj Ode, patën mundësi të ofronin një pasqyrë më të detajuar mbi ndikimet që pandemia COVID-19 ka pasur mbi veprimtaritë e tyre, por edhe rekomandime mbi mbështetjen për të cilën ka nevojë sektori privat.

Ndërmarrësi Ardian Hoxha, kryesues i Komitetit të Ekonomisë Digjitale të Odës Amerikane, ka thënë se Kosovës i duhen investime të mençura në sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit, i cili sipas tij ka potencialin më të madh për rritje por pengohet nga barrierat më bazike, duke përmendur nevojën urgjente për të shtyrë përpara Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.

Ndërkaq, Avni Krasniqi nga kompania “Delfin”, njëherit kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave të Odës Amerikane, potencoi se është e domosdoshme të bëhet zbatimi sa më i shpejtë i masave në ndihmë të sektorit privat, në mënyrë që të evitohet humbja e mëtutjeshme e vendeve të punës.

Milazim Abazi nga BDO Kosova, kryesues i Komitetit të Financave të Odës Amerikane, u shpreh se Qeveria duhet të përkrahë fuqishëm sektorin privat dhe të lehtësojë rrugën për implementim të projekteve dhe dhënie të granteve nga institucionet ndërkombëtare financiare në Kosovë.

(A.M/ Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar…