Përfshihet nga zjarri një depo në Prishtinë, rasti po hetohet
Sot rreth orës 12:00 është përfshirë nga zjarri një depo në një objekt në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi si dhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.
Gashi tha se ekipet menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes pasi ishin duke u djegur kabllo dhe siguresa të rrymës në depon e objektit.
Siç tha Gashi ekipet e kanë shuar zjarrin.
“Sot, në ora 12:24, është pranuar informatë për zjarr në depo të ish objektit UNION. Ekipet menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes, ishin duke u djegur kabllo dhe siguresa të rrymës në depon e objektit. Ekipet e kane shuar zjarrin për një kohë të shpejtë. Është ventiluar hapësira pasi që ishte krijuar tym”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, Pllana tha se aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për një zjarr aktiv në një depo të një objekti në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit. Nga informatat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh Pllana.



