
Përfundon mbledhja e qeverisë me shumë paqartësi, Haradinaj i drejtohet Kushtetueses
Mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës ka filluar me shumë paqartësi, ku edhe është zhvilluar një dikutim mes kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj dhe ministrave të PDK-së dhe Nismës në lidhje se a do të ketë të drejtë qeveria që në këtë situatë të krijuar të marrë vendime.
Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka dilema nëse ka të drejtë ose jo ta thërrasë mbledhjen e ekzekutivit, prandaj ai ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Këtu ka mendime të ndryshme se a kemi bazë ligjore ose jo për mbajtjen e mbledhjes së qeverisë, më duhet t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese që të na japë një sqarim”, ka thënë Haradinaj.
Zevendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se nuk është i mendimit që të marrin vendime për ta çuar situatën në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar që të mos bllokohet vendi. “Nuk mund të merren vendime për borde, çborde, apo shpronësime. Pra nuk mund të sillet asnjë pikë për miratim. Një koordinim politik do të ishte më lehtë se sa të presim vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe një mbledhje tjetër nuk e di a mund të ketë. Kolegët ministra nuk mund të sjellin më pika të rendit të ditës sepse më nuk ka prioritet të qeverisë siç ka qenë deri më tani”, ka thënë Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë që vije nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se për tema të rëndësishme nuk duhet të ketë vakuum. “Për tema të rëndësishme nuk guxojmë të kemi vakuum dhe duam të kemi qartësi ligjore se cilat janë kompetencat tona të vazhdojmë më tutje pas vendimit të dorëheqjes së kryeministrit”, është shprehur ai.
/Epoka e re/