Përfundon restaurimi i ish-Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës, e njohur si ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.
Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka bërë të ditur se paralelisht po ecin drejt përfundimit edhe punimet në objekte të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
“Ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës – ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës”, ka deklaruar Çeku.
Ai ka shtuar se punimet po vazhdojnë edhe në monumente të tjera me vlerë historike.
“Ndërkohë, drejt përfundimit po shkojnë punimet në kullën e Sylejman Vokshit, ndërsa në kullën e Tohsun Beut ka përfunduar faza e parë”, ka theksuar ministri në detyrë.
Sipas Çekut, këto projekte janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm institucional për trashëgiminë kulturore të vendit.
“Angazhim i vazhdueshëm për ruajtjen, mbrojtjen dhe rikthimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore”, ka përfunduar ai.



