Përfundon seanca ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, gjyqtari nxjerr dy urdhra

19 maj 2021 | 14:05

Ka përfunduar seanca e pestë për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe të tjerëve në Hagë, derisa gjyqtari Nicolas Gulliou ka urdhëruar që të ndryshojë afati kohor për dorëzimin e mocioneve si dhe që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të dorëzojë parashtrimet për nevojën e paraburgimit të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Gjyqtari Gulliou ka bërë me dije se vendimet për mocionet do të nxirren më 16 korrik, derisa ka dhënë 28 majin si datë për parashtrimet e vazhdimit të paraburgimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Afati kohor për dorëzimin e mocioneve paraprake ndryshon. Vendimet për mocionet nxirren të premten më 16 korrik. Pasi kam dëgjuar palët, do të nxjerr një urdhër të dytë gojor për parashtrime lidhur me vijimin e paraburgimit. Urdhëroj ZPS-në të dorëzojë parashtrime për nevojën e vazhdimit të paraburgimit deri të premten, 28 maj.  Përgjigja përkatëse të ekipeve të mbrojtjes, nëse dëshirojnë, deri të hënën 7 qershor”, ka thënë Gulliou.

Ndërkohë, në seancën e sotme është diskutuar lidhur me kërkesën e mbrojtjes për t’u pajisur me materiale, gjë për të cilën nga ZPS-ja ka thënë se pritet të ndodhë gjatë muajit qershor.

Avokatët e ish-drejtueseve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, kanë thënë se Specialja është duke e kryer punën “copë-copë” dhe se nuk janë të gatshëm për të filluar gjykimin.

Sipas tyre, katër ish-pjesëtarët e UÇK-së janë duke u mbajtur në paraburgim derisa prokuroria të bëjë “njëfarë renditje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Gjermanisë ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar…