Përfundon seanca ndaj Salih Mustafës, dëshmitari i dytë do të dëgjohet edhe nesër

23 shtator 2021 | 17:52

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dëshmitari i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun, është përgjigjur në pyetjet e prokurorit rreth njësisë BIA, fshatit Zllashë dhe Salih Mustafës, por pjesa më e madhe e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun.

Dëshmitari ka thënë se përveç Brigadës 153, në Zllashë e kanë pasur selinë edhe Zona e Operative e Karadakut dhe njësia e njohur “Skifterët”.

“Përveç brigadës 153 ka qenë Zona Operative e Karadakut dhe njësia India, Skifterët. komandant i Njësisë BIA ishte Salih Mustafa. (Salih Mustafa a njihej me ndonjë emër tjetër, nofkë ose pseudonim, ka pyetu prokurori). Po, me pseudonim ‘Cali’”, është përgjigjur dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se njësia BIA ka qëndruar në Zllashë deri në kohën e bombardimeve, për të cilën ka shtuar se e ka pasur bazën tek lagja e “Sfarçve”.

“Njësia BIA e ka pasur bazën të lagja e ‘Sfarçve’ siç i kemi quajt ne përpara, Krasniq janë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se ka qenë në bazën e BIA-s, kur është pyetur nga prokurori nëse ndonjëherë ka qenë në atë vend.

Prokurori: A ke shkuar ti ndonjëherë në bazën e njësisë BIA?

Dëshmitari: Po, kam shkua.

Prokurori: A ke mundësi të përshkruar për trupin gjykues si ishte e organizuar njësia BIA, nuk është se po kërkoj diçka të hollësishme por na përshkruaj me fjalë të përgjithshme ku gjendej njësia BIA?

Dëshmitari: Po filloj prej shtëpisë së Fatmir Sopit ku ka qenë përpara baza, është shkolla dhe vazhdon rruga përpjetë deri të baza e tyre ku ka qenë.

Prokurori: Baza e Njësisë BIA ishte vetëm në një ndërtesë apo kishte më shumë sesa një ndërtesë aty?

Dëshmitari: Ka pasur më shumë ndërtesa ka qenë një familje e madhe që ka pasur më shumë ndërtesa por ndërtesa të vjetra.

Në seancën e parë ku po dëgjohet dëshmitari i dytë është përmendur edhe Agron Xhemajli, për të cilin dëshmitari ka thënë se ka qenë shefi i shërbimit informativ në brigadën 153.

Prokurori: Në çfarë brigade bënte pjesë Agron Xhemajli?

Dëshmitari: Agron Xhemajli ka bërë pjesën në Brigadën 135, sa e di unë ka qenë shef i shërbimit informativ në brigadë.

Prokurori: Çfarë roli ka pasur shërbimi informativ brenda brigadës 153?

Dëshmitari: Saktë nuk e di çfarë roli ka pasur, shërbim informativ dihet çfarë shërbimesh kryen…

Prokurori: Ju thatë informacione, për çfarë e ke fjalën, për mbledhje të informacionit. Agron Xhemajli a ka pasur kompetencë të urdhërojë arrestimin e dikujt?

Dëshmitari: Nuk e di unë, Agroni Xhemjali ka marrë urdhra prej shtabit të zonës, jo prej shtabit të brigadës,

Prokurori: A ishte pjesë e kompetencave të tij që të urdhëronte arrestimin e dikujt?

Dëshmitari: Sigurisht po.

E mbyllur është zhvilluar pjesa më e madhe e seancës ku po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur ndërkohë në rastin e Salih Mustafës.

Seancën e sotme Salih Mustafa e ka përcjell fizikisht në sallën e gjyqit.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai ishte arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe ishte dërguar në objektin e paraburgimit në Hagë.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./Kosovapress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtetas i Serbisë ka përfunduar në prangat e Policisë…