
Përfundon shpronësimi i pronave për stadiumin ‘Adem Jashari’, vjen reagimi i Çekut
Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë tash e disa vite ka mbetur jashtë funksionimit për shkak të demolimit të tij, por duket se ai do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës javë më parë ka ndarë 12 milionë euro për rinovimin e tij, derisa tashmë kanë përfunduar edhe procedurat e shpronësimit gjë që i hap rrugë nisjes së punimeve për rinovimin e tij.
Lidhur më këtë ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili këtë e ka quajtur një lajm shumë të rëndësishëm për futbollin e Kosovës.
“Një tjetër lajm shumë i rëndësishëm në të mirë të futbollit. Është hapur rruga për renovimin dhe rikonstrukturimin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë i cili kishte filluar të ndërtohet pa u bërë shpronësimi i pronave, një procedurë ligjore e obligueshme. Tashmë është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave. Nga kategoria 2, stadiumi do të ngritët në kategorinë 4, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s”, ka shkruar Çeku.