Përkujtim për Ilmi Ramadanin

28 gusht 2025 | 17:32

Shkruan: Ethem Çeku

Ilmi Ramadani u shua dje nga jeta, por la pas një testament të paharruar intelektual, politik dhe kombëtar. Ai ishte një burrë i pashoq i çështjes shqiptare, një shpirt i pathyeshëm që, edhe pse u burgos dhe syrgjynos, nuk e braktisi kurrë idealin e çlirimit të atdheut. Për të, liria nuk ishte një aspiratë e largët, por një detyrim moral e historik ndaj brezave që do të vinin.

Ilmiu refuzoi me bindje të thellë idenë se fati i shqiptarëve mund të vendosej në Beograd. Përkundrazi, ai shihte zgjidhjen vetëm në përpjekjen e vetë popullit shqiptar për çlirim dhe vetëvendosje. Me këtë vizion, ai u shndërrua në një prej figurave emblemë të atdhetarizmit, duke mishëruar filozofinë politike të një gjenerate që besonte se e vërteta historike dhe drejtësia kombëtare nuk mund të mohoheshin pafundësisht.

Gjenerata e tij, me një stoicizëm politik të admirueshëm, arriti të thyejë doktrinën serbe dhe mbështetësit e saj, duke i hapur rrugë lëvizjes për çlirim dhe pavarësi. Në këtë proces, Ilmi Ramadani u dallua si një mendimtar i qëndrueshëm, i cili nuk heshti kurrë përballë padrejtësive, por artikuloi me vendosmëri vizionin e tij për një Kosovë të lirë dhe të drejtë.

Ilmiu ishte njëkohësisht i pathyeshëm dhe i urtë, këmbëngulës dhe i matur. Në të përthurej filozofia e njeriut që e shihte politikën si një mision moral dhe kombëtar, jo si interes të përkohshëm. Ai u bë shembull i burrërisë, i sakrificës dhe i mençurisë politike.

Me ndarjen e tij nga jeta, Kosova humbi një nga figurat e mëdha të lëvizjes ilegale dhe kombëtare. Por veprimi i tij, qëndrueshmëria dhe filozofia politike mbeten si dritë orientuese për brezat që do të ecin më tej.

Qoftë i lehtë dheu i Kosovës për këtë gjigant të pathyeshëm të çështjes kombëtare. Kujtimi i tij do të jetojë gjatë si simbol i rezistencës, i lirisë dhe i dinjitetit njerëzor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, u mbajt një…