Përkujtohen 106 civilët e vrarë nga forcat serbe në fshatin Pastasellë

31 mars 2022 | 16:18

Në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit janë përkujtuar të enjten 106 civilë të vrarë, e më pas edhe të masakruar, ndërsa një pjesë e tyre edhe të djegur.

Kjo masakër është bërë më 31 mars të vitit 1999 nga forcat serbe.

Në tubimin përkujtimor në shënimin e 23-vjetorit, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVL-së, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të fshatit Pastasellë dhe fshatrave përreth.

“Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur. Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, Guri i Kuq, Zatriq, Polluzhë, Kaznik, Kramovik, Çifllak, Senoc dhe nga komuna e Klinës, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe që kryheshin gjithandej Rahovecit dhe Kosovës”, ka thënë Latifi, duke shtuar se ajo ditë e përgjakshme fundmarsi, do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë, për krimet e llahtarshme që përjetoi populli ynë gjatë përpjekjeve për çlirim.

“Drejtësia dhe dënimi i krimeve të padënuara të 31 marsit 1999, do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim, për të qetësuar shpirtrat e familjeve dhe popullit tonë për humbjet e mëdha njerëzore. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës”, ka thënë kryetari Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besa Famgas e ka shënuar edhe fitoren e 23-të rresht…