
Përkujtohen dëshmorët Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu
Në shënim të 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu, Komuna e Kaçanikut, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, familjarë, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, ka organizuar homazhe për nder të jetës dhe veprës së tyre.
Sipas njoftimit, ceremonitë përkujtimore janë mbajtur fillimisht në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve, ku janë vendosur kurora lulesh dhe është mbajtur një minutë heshtje në nderim të sakrificës së tyre. Homazhet kanë vijuar më pas tek vendi i rënies në Jezerc, ku dëshmorët kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës, Besim Ilazi, theksoi se Bashkimi dhe Nazimi i falën atdheut më të shtrejtën, jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë.
Ndërsa nënkryetari i Komunës, Sabedin Vishi, në fjalën e tij tek vendi i rënies është shprehur se sakrifica e dëshmorëve është dritë udhërrëfyese për gjeneratat që vijnë.
“Liria që gëzojmë sot ka emra, ka gjak dhe ka amanet. “Bashkimi dhe Nazimi janë përjetësisht në zemrat tona”, ka thënë ai.