Përkujtohen të rënët në masakrën e Dubravës: Shteti serb veproi si aparat vrasës
Të premten janë përkujtuar viktimat e masakrës në burgun e Dubravës. Në 27-vjetorin e kësaj masakre, në Dubravë janë mbledhur krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, familjarë të viktimave dhe ish të burgosur politikë, për të përkujtuar të vrarët nga shteti serb. Të gjithë ata që e kanë vizituar Dubravën, kanë thënë se kjo masakër është kujtimi më i hidhur për shqiptarët. Gjatë homazheve është theksuar rëndësia e kujtesës dhe kërkesa për drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës, ku janë vrarë 116 civilë shqiptarë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat dhe ka folur për përgjegjësinë historike dhe institucionale të kësaj ngjarjeje. “Në masakrën e Dubravës u vranë 116 shqiptarë. Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës. I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijonin në rreshta nën urdhra dhe të mbyllur, kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se krimi në Dubravë ka ndodhur për shkak të pranisë së strukturave shtetërore serbe. “Këtu krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi, ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë, në komandë, në rojë, në mashtrim dhe në përpjekje për ta fshehur të vërtetën”, ka thënë ajo, duke shtuar se masakra e Dubravës duhet të trajtohet si dëshmi e krimeve të kryera në Kosovë.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se masakra në burgun e Dubravës ka qenë krim kundër njerëzimit. “Emrat e viktimave të Dubravës të gdhendur në memorial janë aktakuzë e përhershme e atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim”, ka thënë Kurti.
Kurse i mbijetuari i masakrës së burgut të Dubravës, Nait Hasani, ka deklaruar se drejtësia për këtë ngjarje tragjike është lënë pas dore dhe nuk është trajtuar siç duhet nga institucionet e Kosovës.
Ai ka thënë se pavarësisht premtimeve të përsëritura ndër vite, nuk ka pasur hapa konkretë nga drejtësia apo institucionet shtetërore.
“Shoqëria jonë nuk ka bërë mjaftueshëm për këtë masakër dhe për këtë burg, sepse nuk është trajtuar siç duhet. Nuk është marrë sa duhet nga gjykata, prokuroria dhe institucionet. Kemi ngritur zërin çdo vit dhe e kemi përjetuar këtë gjendje çdo vit. Kemi thënë se këtë vit do të bëjmë diçka, por çdo vit ka mbetur në heshtje nga institucionet e shtetit, nga drejtësia, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca. Dhe kur vjen puna për zgjedhje, sërish na kujtohet kjo çështje”, ka deklaruar Hasani.



