
Përkujtohet dëshmori Isuf Ahmeti nga Stublla, i rënë më 2 gusht 1998
Pas fillimit të luftës në Prekaz të Drenicës dhe më pas në Gllogjan të Deçanit, ishte Smolica e Rekës së Keqe ndër vendet e para ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli hapur në skenë. Menjëherë pas saj, UÇK-së iu bashkuan edhe burrat trima të Stubllës, Ponoshecit dhe fshatrave përreth.
Forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmorën një ofensivë të madhe në rajonin e Rekës së Keqe, duke detyruar njësitë e UÇK-së të tërhiqen nga pozicionet e tyre për shkak të epërsisë ushtarake të armikut dhe mungesës së municionit. Gjatë hyrjes së ushtrisë serbe në fshatin Stubëll, pas një rezistence të fortë nga forcat e UÇK-së, më 2 gusht 1998 ra heroikisht dëshmori Isuf Ahmeti.
Isuf Ahmeti, ish-mësues, pedagog dhe ushtar i devotshëm i UÇK-së, nga fshati Stubëll i Gjakovës, u përkujtua të shtunën nga familjarët dhe bashkëluftëtrët, me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij. Qysh në ditët e para të luftës, ai ishte angazhuar në zonën e Dukagjinit dhe njihej si një nga ushtarët më të respektuar të fshatit.
Trupi i tij prehet në varrezat e fshatit të lindjes. Edhe pse fshat i vogël, Stublla gjatë luftës së fundit dha dy dëshmorë – Isuf Ahmetin dhe Nimon Kadrijajn – si dhe një martir, Ramë Ibrahimin.