PERLA POETIKE PËR DASHURINË

24 janar 19:31

Tashmë të gjithë pajtohen se e para ishte fjala. Dhe, në krye të saj qëndron poezia. Më saktë, lirika! Ajo, që me fuqinë magjepsëse, shpërfaq thellësinë e dashurisë: pasionin, dëshirën, xhelozinë, vuajtjen, dëshpërimin, ngazëllimin e mallëngjimin. Me fjalë të tjera, gjithë afshin, angështinë dhe esencën e ndjenjave njerëzore e hyjnore, tokësore e qiellore.

FJALA E REDAKTORIT

Bedri TAHIRI

“Poezia është një krijim kompleks, po aq sa ndjenja e dashurisë. Ajo nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata shpirtrat e lartë që e ndiejnë”, thoshte Lasgushi. Ai madje këshillonte që ajo duhet të jetë jo shumë e gjatë dhe poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave në minimumin e fjalëve. Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi!

Të gjitha këto sikur i ka pasur parasysh edhe poeti Mentor Hajrizi, kur ka latuar vargjet e futura nën një çati, me titullin mjaft sugjestiv e domethënës, THERMË E SHPIRTIT TË NDEZUR. Pena e mprehtë e këtij gjuhëtari brilant, që në fushën e shkencës së gjuhësisë, tanimë ka bërë emër me librin “(Mos)përdorimi i shkronjës –ë” dhe në shumë portale e libra shkollorë, këto ditë doli edhe me përmbledhjen poetike që do ta shqyrtojmë në vijim.

Një libër i veçantë, me perla poetike për dashurinë!

Sa bukur! Dashuria si koncept filozofik dhe si ndjenjë që e mban gjallë gjithë globin, ka qenë dhe mbetet tema më e parapëlqyer në letërsi, që nga muzgu i antikitetit të mjegulluar. Madje, vargjet e para për të i hasim në librin e shenjtë të Biblës. Për të kanë shkruar poetët më të mëdhenj botërorë, duke u bërë edhe vetë të pavdekshëm. Për të shkruajnë edhe sot e gjithë ditën.

“Të shkruash do të thotë të japësh”, thoshte Sartri. Kështu veproi edhe Mentori, i cili, që në nismë e ka krijuar profilin e vet krijues, shkruan vetëm atëherë kur ka për të na dhënë një porosi, një ndjenjë, një sublim, një ekzaltim, një frymëzim!

Organizimi i lëndës, mbrujtur me zjarr përvëlues, që buron nga gjirma e thellë e shpirtit, është specifik, ashtu siç është edhe vetë libri. Ato copëza yjendezur, janë ndarë në pesë cikle: Dhimbë, Këputje damarësh, Derdhje lotësh, Terr në ferr dhe Fërkuese e thermës. Dhe, secili cikël përbëhet nga dhjetë njësi vargjesh, me madhësi të ndryshme metrikore e strukturore (nga tri e deri në katërmbëdhjetë vargje). Është interesant se ato mund të lexohen veç e veç, mund të lexohen në cikle, por mund të lexohen edhe si një tërësi organike, pa e humbur rrjedhën kuptimore e përmbajtjesore. Ato, fund e krye, pikërisht, si Peni i Arianës, i përshkon një lajtmotiv i vetëm: Dashuria!

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, i kemi provuar thermat e shpirtit, që të gërgasin e nuk të lënë të qetë, as edhe për një çast, sepse shigjetë e tyre depërton thellë e thellë:

Një dritë vezulluese,

e dalë nga ninëza e syrit,

porsi shigjetë,

i shkapërderdhet,

cep më cep, zemrës bujare.

Shigjeta e Erosit, i biri i Afërditës, e Perëndeshës së Dashurisë dhe e Bukurisë, është depërtuese kudo që gjëllin njerëzimi. Dashuria këtu na del sinonim i jetës dhe i përtej jetës, i bukurisë dhe i përjetësisë, i dëlirësisë dhe i sakrificës. Ajo na del si një dashuri universale, si një frymë hyjnore, si një univers i plotë që vete e shndërrohet në amshueshmëri.

Jeta,

e bukur bëhet,

vetëm atëherë,

kur ndjellim:

ëmbëlsi,

butësi,

ngrohtësi,

çiltëri,

dashuri.

Heroi lirik i këtyre vargjeve, ngjashëm me atë të erotikës naimiane (te Burkurija), për dashurinë, është në gjendje të ngrihet edhe nga varri:

Edhe në ëndërr,

edhe i vdekur,

po të jem,

do të ngrihem,

beharisht,

do të jetoj veç për ty.

Të mos harrojmë se dashuria është edhe trëndafil me gjemba. Bota është krijuar për të dashuruarit. Edhe Adami e Eva e humbën parajsën, vetëm pse e hëngrën mollën e ndaluar të dashurisë. Ajo, duke të ledhatuar, mund edhe të të pickonte si nepërka:

Ti vrave një dashuri,

për ta bërë jetën time të errësuar,

për të ma copëzuar zemrën,

për të ma prerë secilën ëndërr.

Helmi i dashurisë qenka më i rrezikshëm se çdo tjetër, të sjellë vërdallë e të shpie në terrin e ferrit dantesk:

Nata po djeg mallin,

po shpie dritën në terr,

terrin në ferr.

Sidoqoftë, lozonjarja dashuri, hidhet e përdridhet mbi krahët e suferinës dhe heroin e josh të ringjallet e të ngrihet nga varri:

Unë u varrosa,

pa qenë ai që jam,

dhe tani,

me thërrime pluhuri,

këlthas me sa zë që kam,

dua zhvarrimin tim…

Poezia e bukur nuk shpjegohet, ajo përjetohet! Ajo ngërthen më vete ëmbëlsinë e jetës, andaj duhet kapërdirë si bar shërues e duhet bartur si telisem përtëritës shpirtëror. Të tilla janë vargjet e skalitura mjeshtërisht me daltën e artistit, me fjalë të përzgjedhura e me porosi jetike, për dashurinë. Narracioni lirik e refleksiv për heroin lirik, mistifikuar me elemente autobiografike, me shtrirje të përhershme edhe në rrafshin estetik, rrjedhin lirshëm, pa u ngufatur prej rregullash të ngurta metrike e konvencionale, duke na dhënë hoje mjalti, që rrëshqasin lezetshëm në brendinë tonë dhe krijojnë çlirimin shpirtëror të njohur si katarsisi aristotelian.

Vargu i latuar me një mjeshtëri metrike, pa u bërë rob i rregullave të ngurta klasike, është stolisur edhe me petkun figurativ, andaj del origjinal, i papërsëritshëm dhe shumë funksional. Sa bukur! Në mënyrë lakonike e me një gjykim e diskurs të matur filozofik, jep mendime për dashurinë me të gjitha ngjyrimet e shtresimet e saj, duke e zbërthyer deri në imtësi.

Nëse i referohemi një thënieje të lashtë se, libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë së quajtur Letërsi, atëherë, lirisht mund të konstatojmë se kësaj ia ka dalë, madje mjaft suksesshëm, poeti Mentor Hajrizi, me tekstin letrar, të titulluar, THERMË E SHPIRTIT TË NDEZUR, duke sjellë prurje të veçanta poetike në letërsinë bashkëkohore.

Galicë, gusht 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, së bashku…