
Përmbyllet edicioni i tretë i Programit për Diplomaci Qytetare
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar të mërkurën ceremoninë përmbyllëse të gjeneratës së tretë të Programit për Diplomaci Qytetare, me pjesëmarrjen e zëvendësministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, rektorit të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, Ilir Muçaj, si dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, bashkë me bursistët e këtij programi.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja Gashi vlerësoi lart rëndësinë dhe suksesin e këtij programi, duke theksuar nevojën për një hapësirë të tillë bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve të Kosovës. “CDF ka qenë hapësira e munguar e cila tanimë është krijuar, por vetëm si hapësirë nuk mjafton – si e tillë duhet të shfrytëzohet maksimalisht nga të gjitha institucionet, duke sjellë përvojën tuaj dhe një pasqyrë të përgjithshme të nevojave të institucionit”, tha Gashi.
Ajo shprehu mirënjohje për partnerët institucionalë të programit, të cilët kontribuan në realizimin dhe mbarëvajtjen e tij, si dhe për bursistët që, përmes profesionalizmit të tyre, dhanë një kontribut të çmuar për institucionet e Republikës së Kosovës.
Gashi potencoi se qëllimi i programit është të krijojë ura të reja bashkëpunimi me profesionistët e rinj nga diaspora, duke i inkurajuar ata të luajnë rol aktiv në zhvillimin politik, ekonomik dhe socio-kulturor të Kosovës, si dhe në promovimin ndërkombëtar të saj.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në fjalën e tij vlerësoi angazhimin e bursistëve si tejet të dobishëm për institucionet akademike, veçanërisht për Universitetin e Prishtinës.
Përvojat e tyre në kuadër të programit i ndanë edhe bursistet Vesa Sahatçiu dhe Daorsa Ibrahimaj, të cilat folën në emër të gjeneratës së dytë dhe të tretë, duke reflektuar mbi eksperiencën 10-mujore të angazhimit të tyre profesional. Po ashtu, Belinda Lahu, përmes një videoje, prezantoi perspektivën e gjeneratës së tretë.
Në përmbyllje të ceremonisë, sekretari i përgjithshëm i MPJD-së, Ilir Muçaj, ndau certifikatat për bursistët e gjeneratës së tretë, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përfundimin me sukses të programit.