Përmbyllet procesi i rinumërimit të votave në 15 komuna
16 janar 2026
| 11:42
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se procesi i rinumërimit të votave është përmbyllur në 15 komuna.
Bazuar në këto të dhëna janë rinumëruar 216 nga 914 vendvotime.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 216 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (1/8) dhe Pejë (1/14)”, ka njoftuar KQZ-ja.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
Në njoftimin e KQZ-së për këtë proces ishte bërë me dije se në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërsa në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Ky vendim ka ardhur pas raportit të bazuar të 10 janarit, ku Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.



