Përmbyllet programi për bursa ‘Gratë në Energji’

28 mars 2019 | 14:59

Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) ka përmbyllur të enjten në Prishtinë turin e sesioneve informative për programin e bursave “WE – Gratë në Energji”.

Përmes këtij programi, 25 vajza dhe gra kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë bursa të plota të studimeve dhe qëndrimit dyvjeçar në Iowa të ShBA-së dhe kolegje të tjera të akredituara.

Burim Hashani, drejtor i programit të energjisë në MFK, në hapjen e sesionit informativ ka prezantuar qasjen e MFK-së për uljen e pabarazisë gjinore në sektorin e energjisë përmes projekteve të ndryshme në këtë sektor.

Programi i bursave “WE – Gratë në Energji”, ka thënë ai është program që synon të adresojë një çështje alarmante në sektorin e energjisë në Kosovë, pjesëmarrjen e ultë të grave në këtë sektor.

Ai ka theksuar se ky program do të mbështesë gratë dhe vajzat që të avancohen nga ana profesionale dhe lehtësojë procesin e gjetjes së punës në këtë sektor.

Ndërkaq, për programin e ardhshëm për gratë ndërmarrëse, Hashani ka thënë se ky program do të aspirojë t’i ndihmojë gratë që ta ulin koston e veprimtarisë së tyre ndërmarrëse përmes uljes së kostos së energjisë.

Kevin Mitchell, përfaqësues nga MCC-ja, ka prezantuar programin “Threshold” nga ky institucion për Kosovën, si dhe rezultatet shqetësuese të dala nga sondazhi i pjesëmarrjes në punë.

Mitchell ka pohuar se një nga aspiratat e këtij agjencioni është rritja e participimit të grave në sektorin e energjisë.

Ai ka thënë se ky shans për të studiuar në ShBA u mundëson grave dhe vajzave nga Kosova ngritjen e tyre profesionale e personale, si dhe kthimin Kosovë për të kontribuar në zhvillim të mëtejshëm ekonomik.

Gresa Statovci, konsulente për punë praktike dhe bursa në MFK, ka prezantuar detajisht të gjitha informacionet lidhur me procesin e aplikimit për bursa në DMACC, Iowa.

Ajo ka përfunduar sesionin duke ndarë me vajzat përvojën personale të saj si bursiste në ShBA.

Statovci ka inkurajuar vajzat dhe gratë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për zhvillim të aspektit profesional.

Periudha për aplikim për bursë të plotë për avancim profesional në sektorin e energjisë mbetet e hapur deri më 7 prill, 2019.

Detajet rreth procesit të aplikimit mund të gjenden në faqen e Millennium Foundation Kosovo (https://millenniumkosovo.org/) dhe në të gjitha rrjetet sociale të MFK.

Vajzat dhe gratë pjesëmarrëse shprehën interesim të madh për këtë mundësi shkollimi në DMACC të Iowa-s në SHBA.

Turneu informativ nëpër komuna është organizuar në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ARDA-RDA.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada Hungareze në Kosovë në bashkëpunim dhe me përkrahjen e…