Përmbysja e Mongolëve, rebelimi budist që shembi një perandori të frikshme

28 shtator 2025 | 10:58

Përmbytje, uri, murtajë. Për fshatarët e Kinës Yuan, të sunduar nga pasardhës autoritarë të pushtuesve mongolë që ishin bërë zotër të vendit, kjo seri fatkeqësish natyrore tregonte një gjë: sundimtarët e tyre mongolë e kishin humbur Mandatin e Qiellit. Me Mandatin e Qiellit të hequr, kryengritja nuk ishte thjesht e mundur, por legjitime: vetë Qielli u kërkonte të rrëzonin perandorin e padrejtë dhe ta zëvendësonin me një sundimtar të ri.

Por dinastia Yuan, që rridhte nga Kublai Khani e deri te vetë Genghis Khani, nuk kishte ndërmend të kthehej thjesht mbrapsht në Mongoli. Do të duheshin 17 vjet lufte para se një perandor i ri të mund të themelonte një dinasti të qëndrueshme.

Kushtet për këtë tranzicion të gjatë u hodhën më herët: dobësia politike dhe përçarjet e perandorëve të fundit Yuan, si dhe vargu i fatkeqësive natyrore që goditën Kinën në vitet 1340–1350. Faza e parë e këtyre fatkeqësive e pati kulmin, me përmbytjen e Lumit të Verdhë në vitin 1344. Vetë lumi, që shpesh quhet “Mërzia e Kinës” për shkak të shkatërrimeve që sjell kur vërshon, është pjesë thelbësore e begatisë së vendit, sepse ujërat e tij ujitin sipërfaqe të mëdha bujqësore. Por, siç bart sasi të mëdha dheu, lumi ngre shtratin e vet sa herë rrjedha ngadalësohet, duke shkaktuar aluvione; afërsisht çdo njëqind vjet, Lumi i Verdhë çan përtej digave dhe kërkon një shteg të ri drejt detit. Rrafshtësia e Fushës së Madhe të Kinës së Veriut – e përsosur për bujqësi – bën që këto shtigje të reja të jenë qindra kilometra larg njëri-tjetrit: në kohë historike, lumi ka derdhur ujërat si në veri, ashtu edhe në jug të Gadishullit Shandong. Përmbytja e vitit 1344 e zhvendosi derdhjen në jug të gadishullit, ku mbeti deri nga mesi i shekullit XIX.

Reagimi i regjimit Yuan ndaj përmbytjes së 1344-s i shkaktoi po aq dëm politik sa vetë fatkeqësia. Për të parandaluar vërshimet e ardhshme, perandori detyroi turma të mëdha fshatarësh Han të ngrinin diga të reja. Por kjo punë e detyruar, në vend që të siguronte regjimin kundër përmbytjeve, thjesht i shtyu edhe më shumë njerëz t’u bashkoheshin grupeve kryengritëse, që po shfaqeshin anembanë Kinës. Nga këto, më e rëndësishmja dhe më e suksesshmja ishte Shoqëria e Lotusit të Bardhë.

Me origjinë si sekt budist, Lotusi i Bardhë iu përshtat përndjekjes nga Yuan-ët duke zgjeruar bazën fetare – duke përfshirë elemente të daoizmit, manikeizmit dhe religjionit popullor – dhe bazën shoqërore, duke e hapur anëtarësimin dhe udhëheqjen, edhe për laikët kinezë. Kështu u bë një vatër rezistence ndaj sundimit të korruptuar të Yuan-ëve.

Lotusi i Bardhë planifikoi të niste një kryengritje të hapur në vitin 1351, por udhëheqësi në pritje, Han Shantong, u tradhëtua dhe u ekzekutua nga Yuan-ët. Megjithatë, Lotusi i Bardhë u bashkua rreth të birit të tij, Han Lin’er, duke e shpallur trashëgimtar legjitim të dinastisë Song që mongolët kishin rrëzuar, me titullin Princi i Vogël i Shkëlqimit. Dokumentet bashkëkohore ose janë humbur, ose janë zhdukur dhe fshehur, ndaj dihet pak për Han Lin’er-in; por është e qartë se një nga gjeneralët e tij, Zhu Yuanzhang, u bë shpejt një figurë kyçe në lëvizjen që mbështeste Princin e Vogël të Shkëlqimit, me aftësitë që peshonin më shumë se origjina e tij modeste.

Ndërkohë që përgjigjja e Yuan-ëve ndaj këtyre kërcënimeve pengohej nga përçarjet dhe rivalitetet politike, e njëjta gjë vlente edhe për rebelët. Gati e vetmja gjë që i bashkonte fillimisht ishin mbulesat e kokës: turbane të kuqe, që i dallonin nga forcat besnike të dinastisë Yuan. Kështu kryengritja mori emrin Kryengritja e Turbaneve të Kuqe.

Si në periudhat e tjera të trazuara të historisë kineze, kryengritja u shndërrua shpejt në garë mes udhëheqësish luftarakë, ku secili kontrollonte një pjesë të madhe të territorit dhe burimeve. Dinastia Yuan, praktikisht, i sabotoi shanset e veta pas vendimit të perandorit Toghon Temür për ta shkarkuar gjeneralin e tij më efektiv, Toqto’a (Toqtoa), dhe pastaj për ta lënë të vritej.

Gjenerali Toqto’a, gjithashtu historian i shquar, ishte tepër i dashur mes trupave; po t’i kishte urdhëruar, ato do të ndiqnin flamurin e tij, jo të perandorit. Por Toqto’a e pranoi shkarkimin pa u ngritur kundër tij. Megjithatë, shumë nga ushtarët e tij, të neveritur nga trajtimi i gjeneralit të dashur, dezertuan te forcat e ndryshme kryengritëse në vend që të luftonin për perandorin.

Vetë Toghon Temür dukej se humbi interesin për luftën, caktoi të birin si trashëgimtar, por bëri pak për të ndalur shpërbërjen e regjimit. Ndërkohë, sundimtarët e Turbaneve të Kuqe po ndërtonin zotërimet e tyre dhe po pozicionoheshin për goditjen përfundimtare kundër Yuan-ëve, duke ruajtur gjithnjë shpinën nga një thikë e mundshme e ndonjë rivali.

Sa më shumë dobësohej pushteti i Yuan-ëve, aq më shumë krerët e Turbaneve të Kuqe e kuptuan se perandori Yuan mund të lihej mënjanë, ndërsa ata vendosnin mes tyre se kush do ta rrëzonte përfundimisht dhe do të bëhej perandor në vend të tij. Në këtë konflikt të çrregullt, me deri në një duzinë pretendentësh, vetëm pak dukej se kishin realisht gjasa ta merrnin pushtetin. Dy kandidatët e parë seriozë ishin Zhang Shicheng (1321–1367) dhe Fang Guozhen (1319–1374), të dy me karriera që kishin nisur me kontrabandë dhe pirateri.

Fang Guozhen ishte pirat; të ardhurat kryesore i vinin nga kontrabanda e kripës (shumë fitimprurëse kur kripa ishte konservuesi i vetëm efektiv dhe shteti e taksonte). Ai dominoi në dete, por nuk arriti të qeveriste me efektivitet brezin bregdetar që kontrollonte.

Ndërsa Zhang Shicheng vuri nën kontroll pjesët më të pasura e më të populluara të Kinës, nga bregdeti në jug të Gadishullit Shandong e në brendësi të fushës pjellore. Sipas historianëve të mëvonshëm, sapo mori nën dorë këto toka të begata, Zhangu dhe rrethi i tij u dhanë pas shfrytëzimit të plaçkës, në vend që të qeverisnin si duhet ose të lëviznin kundër rivalëve. Administrata kineze varej nga një klasë nëpunësish të arsimuar; pa mbështetjen e tyre ishte gati e pamundur të drejtoje një aparat shtetëror efikas.

Për një farë kohe, Chen Youliang (1320–1363) u duk se ishte sundimtari me më shumë gjasa të unifikonte rivalët dhe të rrëzonte Yuan-ët. Duke pritur momentin, ai krijonte aleanca me fraksione të tjera rebelësh, vetëm për t’i tradhtuar më pas. Gjeneral i zotë, por i pamëshirshëm, Chen Youliang ngriti një ushtri të fortë dhe vuri nën kontroll gjithnjë e më shumë territore, derisa në vitin 1360 u ndje aq i fuqishëm sa të shpallej perandor i një ringjalljeje të dinastisë Han (202 p.e.s.–220 e.s.).

Pretendimi i tij i lartë u mbështet thuajse vetëm te forca ushtarake, dhe ambicia e tij u rrëzua në Betejën e Liqenit Poyang (1363). Kjo betejë renditet mes më të mëdheve detare për nga numri i njerëzve të përfshirë: disa vlerësime flasin për deri në 850.000 marinarë, ushtarë e trupa detare.

Beteja vuri përballë përkrahësit e Chen Youliang me njerëzit e Zhu Yuanzhang. Ky i fundit kish bërë rrugë të gjatë, që nga ditët kur ishte shumë i varfër për të paguar edhe aq pak sa i duhej, për të vazhduar të qëndronte në manastirin budist ku kishte kërkuar strehë nga uria.

Zhu Yuanzhang mori komandën ushtarake të fraksionit të Turbaneve të Kuqe që kishte dalë nga Shoqëria e Lotusit të Bardhë dhe, pas tradhtisë dhe vrasjes së udhëheqësit të saj të parë, Han Shantong, e zgjeroi gradualisht bazën e tij të pushtetit, duke vazhduar njëherazi të shpallte besnikëri ndaj të birit dhe trashëgimtarit të tij, Han Lin’er. Në 1356, Zhu mori nën kontroll Nanjingun, që u bë kryeqyteti dhe baza e tij e pushtetit. Ndryshe nga sundimtarët e tjerë, Zhu e bëri qeverisjen e mirë një pikë politike: kjo tërhoqi shumë njerëz drejt Nanjingut, të joshur nga stabiliteti, mes dhunës dhe korrupsionit që mbizotëronte në territoret e të tjerëve. Reputacioni i Nanjingut për siguri dhe qeverisje të mirë ishte aq i lartë saqë popullsia e tij u dhjetëfishua në dekadën pas pushtimit nga Zhu.

Ndërsa Yuan-ët nuk bënin përpjekje serioze për t’i shpërngulur rebelët, Zhu nisi të ngrinte një administratë që do ta kthente nga sundimtar lokal në perandor, megjithëse publikisht ende shpallte besnikëri ndaj Han Lin’er-it, si perandor i një dinastie Song të ringjallur. Por, duke marrë titullin Duka i Wu-së, Zhu nisi të ngjitej në shkallët e fisnikërisë drejt fronit. Me shumë nga administratorët më të talentuar të vendit që po hynin në shërbimin e tij, Zhu po montonte gradualisht ekipin që do të mund të kontrollonte Kinën.

Së pari, megjithatë, duhej të hiqte qafe rivalin më të rrezikshëm (dhe më të fuqishëm) në lindje, Chen Youliang. Edhe Chen e kuptoi këtë, dhe ai e ndezi betejën vendimtare duke dërguar anijet e tij si kulla të blinduara – mjetet gjigante që mbanin 2.000 trupa, me kuverta të veçanta për kavalerinë dhe një mbisuperstrukturë të blinduar – për të sulmuar kalanë e Zhu-së në Nanchang. Pavarësisht madhësisë së flotës së Chenit, garnizoni i Nanchangut qëndroi dhe dërgoi një lajmëtar te Zhu për ndihmë. Rezultati ishte Beteja e Liqenit Poyang, e cila, gjatë katër ditëve (30 gusht – 2 shtator), i solli Chenit një disfatë taktike, të ndjekur nga shpartallimi më 4 tetor, kur Chen Youliang u vra.

Zhu Yuanzhang-u pastaj iu kthye mbretërisë së Zhang Shichengut, rrethoi kryeqytetin Suzhou dhe e mori në vitin 1367, pas dhjetë muaj rrethimi. Meqë qiejt dukshëm po e favorizonin Zhu-në, sundimtarët e mbetur vendosën se dorëzimi ishte zgjedhja më e mençur dhe u vunë nën sovranitetin e tij. Mbeti, sidoqoftë, çështja e Han Lin’er-it, perandorit të supozuar të një dinastie Song të ringjallur, në shërbim të të cilit Zhu Yuanzhang-u kishte dalë në pah. Pa dyshim, Zhu do të kishte shërbyer nën Han Lin’er-in po të mos kishte ndodhur një aksident fatkeq në 1366 ose 1367, ku Han Lin’er u mbyt në një pellg. Me pretenduesin formal jashtë loje, Zhu Yuanzhang pranoi Mandatin e Qiellit dhe në janar 1368 u shpall perandor, duke marrë emrin Hongwu (“jashtëzakonisht luftarak”). Si perandor, ai themeloi dinastinë Ming, që do të sundonte Kinën deri më 1644.

Pasi hoqi qafe të gjithë rivalët, Perandori Hongwu e ktheu vëmendjen nga shteti i cunguar që Yuan-ët ende mbanin në veriun e Kinës, dhe në 1368 marshoi drejt veriut. Yuan-ët, në vend që të bënin betejë, braktisën kryeqytetin (Pekinin e sotëm) dhe u tërhoqën në Mongoli. Deri në 1381, forcat e perandorit e kishin vënë të gjithë vendin nën kontroll.

Pas 89 vitesh sundimi të huaj, kinezët sërish e sundonin Kinën. / bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO ka “rritur vigjilencën” në Baltik, pasi Kopenhaga raportoi për…