Përmbyten nënstacionet, KEDS-i ndërprenë energjinë elektrike në tri komuna
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) e ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Drenasin, Malishevën dhe Rahovecin.
Përmes një njoftimi për medie, kjo kompani ka bërë me dije se ndërprerje e rrymës për këto komuna është bërë për arsye sigurie.
Pamjet që ka sjell kompania tregojnë se nënstacionet në këto komuna janë vërshuar.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie. Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik. Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm”, është thënë në njoftim, duke dhënë detaje tjera.
“KEDS-i njofton se gjendja është jo stabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës. Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.



