Përmbytjet në Teksas, Trump shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore

07 korrik 2025 | 00:31

Thellohet bilanci i tragjedisë nga përmbytjet katastrofike në Teksas. Guvernatori bën me dije se ka shkuar në 69 numri i viktimave, 21 prej të cilëve fëmijë, ndërsa vazhdojnë kërkimet për dhjetëra të zhdukur, nga shirat e rrëmbyeshëm që nisën të premten, duke përmbytur zona të gjera në qendër të shtetit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se ka nënshkruar Deklaratën e Fatkeqësisë Natyrore për Teksasin, për të ndihmuar familjet e prekura.

“Sapo nënshkrova një Deklaratë për Fatkeqësi të Madhe Natyrore për Qarkun Kerr, Teksas, për të siguruar që Ndërhyrësit e Parë të Guximshëm të kenë menjëherë burimet që u nevojiten. Këto familje po përjetojnë një tragjedi të paimagjinueshme, me shumë jetë të humbura dhe shumë të tjera ende të zhdukura. Administrata Trump vazhdon të punojë ngushtë me udhëheqësit shtetërorë dhe vendorë”, njoftoi Trump.

Sipas Presidentit Trump, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe Guvernatori Greg Abbott, zbritën në terren për të parë nga afër situatën e rëndë, ndërsa roja bregdetare amerikane, së bashku me Ndërhyrësit e Parë të Shtetit, kanë shpëtuar mbi 805 jetë njerëzish.

Lumi Guadalupe u rrit me 8 metra për vetëm 45 minuta, duke shkaktuar dëme të mëdha në kampin veror Camp Mystic në Kerr County, ku ndodheshin rreth 750 vajza. Dritaret e kabinave u thyen nga fuqia e ujit, ndërsa sende personale si batanije dhe lodra fëmijësh u gjetën të mbuluara me baltë.

Sipas banorëve, kjo është përmbytja më e rëndë në dekada. Ekspertët thonë se ngjarje të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një numër përfundimtar të të zhdukurve, ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë gjithnjë e më të pakta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Astrit Berisha, do ti prijë sulmit të Prishtinës së Re…