
Përmes krizave në politikë, nga krizat mbijetojnë, me kriza qeverisin
Shkruan: Hisen Berisha
Situata me kuvendin dhe moskonstituimin e institucioneve është krizë institucionale e fabrikuar që po ndodh për shkak të shkeljes së parimit të përfaqësimit, që sjellë pasoja për funksionimin e shtetit. Kjo situatë mund të tejkalohet me marrëveshje për zgjidhje politike të cilën nuk e dëshiron për shkaqe politike dhe strategjike Kurti dhe LVV.
Këta, në politikë kan ardhur përmes krizave, qëndrojnë e mbijetojnë përmes krizave, dhe po dëshmojnë se është kriza si pasqyrë dhe doktrinë e qeverisjes.
1.
Mosfunksionimi i Kryesisë së Kuvendit nuk është rastësi, por pasojë e një kalkulimi politik të Vetëvendosjes.
Duke mos pranuar zgjedhjen e nënkryetarit nga opozita, VV po përpiqet të mbajë të kontrolluar procesin ligjvënës dhe të shtyjë në pafundësi balancimin e institucioneve.
Kjo nuk është thjesht krizë procedurale, por një formë e kapjes së shtetit përmes bllokimit.
2.
Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit parashohin përfaqësimin proporcional në Kryesi.
Duke refuzuar këtë parim, VV po e shkel të drejtën e opozitës për pjesëmarrje të barabartë.
Një kryesi e mangët nuk është vetëm problem politik, por edhe juridik, sepse çdo vendim i marrë në këtë përbërje mund të sfidohet për legjitimitet.
3.
Një Kuvend pa kryesi funksionale është parlament i gjymtuar.
Pa konsensus dhe përfaqësim të plotë, procedurat bllokohen, ligjet shtyhen dhe kontrolli parlamentar ndaj qeverisë dobësohet.
Kjo gjendje çon në një centralizim të mëtejshëm të pushtetit ekzekutiv dhe krijon precedent të rrezikshëm për demokracinë.
4.
Partitë tjera parlamentare duhet të qëndrojnë të unifikuara në kërkesën për respektim të rregullores dhe Kushtetutës. Kompromiset e pjesshme do të legjitimonin shkeljet e VV-së. Zgjidhja e vetme është detyrimi i shumicës të pranojë nënkryetarin nga opozita, përndryshe Kuvendi do të mbetet arenë përplasjesh sterile dhe jo institucion funksional.
5.
Ky bllokim nuk është incident, por reflekton stilin e qeverisjes aktuale: përjashtues, konfliktual dhe i bazuar në kontroll absolut. VV e sheh dialogun politik si dobësi dhe konsensusin si humbje, ndaj kriza e Kryesisë është vetëm një simptomë e sëmundjes më të thellë politike që e ka kapluar Kosovën.