
Përparim Rama: Jemi gati me formimin e policisë së kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se janë në përfundim të strukturimit të policisë së kryeqytetit.
Në një postim në “Facebook” ai ka theksuar se për këtë ka takuar drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, me të cilin e ka diskutuar mundësinë e realizimit të këtij projekti.
“Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar procedurat për Strukturimin e Policisë së Kryeqytetit, një hap tepër i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien në qytetin tonë. Sot, në një takim me udhëheqësit kryesorë të Policisë së Republikës së Kosovës, drejtorin e Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani dhe drejtorin e Departamentit të Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazin, diskutuam detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë ‘Pastrimi’ të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike”, ka thënë Rama.