
Përparim Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim të rëndësishëm që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës.
Banesat komunale, të cilat më herët ishin ndarë për këto familje për periudha të shkurtra kohore, tani do të jepen për shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh.
“Ne kemi vlerësuar se është koha që këto familje të kenë jo vetëm strehë, por siguri të plotë e afatgjatë”, theksoi Rama, duke shtuar se ky veprim nuk është një akt favori, por një hap institucional drejt drejtësisë dhe kujtesës kolektive.
Ai vuri në dukje se ky vendim është një vazhdimësi e një politike të nisur vite më parë dhe e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por tani përforcohet me një afat që garanton stabilitet dhe trajtim të qëndrueshëm për familjet që kanë sakrifikuar më shumë se gjithçka për lirinë e vendit.
“Prishtina u detyrohet familjeve të dëshmorëve jo vetëm nderim moral, por edhe trajtim dinjitoz dhe të qëndrueshëm”, tha ai, duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tyre.
Njoftimi i plotë i Ramës:
Prishtina u detyrohet familjeve të Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadani dhe dëshmorëve të tjerë, jo vetëm me nderim moral, por edhe trajtim dinjitoz dhe të qëndrueshëm.
Sot, si Kryetar i Prishtinës, kam nënshkruar vendimin që banesat komunale të ndara për familjet e dëshmorëve të Republikës, të jepen për shfrytëzim për 99 vjet.
Kjo është një vazhdimësi e një vendimi të nisur vite më parë e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kur këto banesa banimi janë ndarë për periudha të shkurtra kohore. Ne kemi vlerësuar se është koha që këto familje të kenë jo vetëm strehë, por siguri të plotë e AFATGJATË.
Ky nuk është akt favori, por një hap institucional drejt drejtësisë dhe kujtesës kolektive.
Mirënjohje e thellë për familjet që kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë që sot e jetojmë të gjithë.