Përparim Rama vlerëson lidershipin e Lumir Abdixhikut
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke vlerësuar publikisht qasjen dhe lidershipin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në një postim, Rama theksoi rëndësinë e përgjegjësisë politike, etikës publike dhe respektimit të standardeve demokratike në një moment që e cilësoi si sfidues për demokracinë në vend.
Sipas Ramës, Abdixhiku ka udhëhequr një proces të thellë reformues brenda LDK-së, duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që, siç u shpreh ai, i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike. Ai vlerësoi investimin në një program substancial dhe në ndërtimin e një ekipi përfaqësues dhe kompetent, duke e cilësuar këtë si dëshmi se politika duhet të bazohet në ide, vlera dhe kapacitete reale.
Rama theksoi gjithashtu se Abdixhiku ka refuzuar diskursin fyes dhe përçarës në politikë, duke zgjedhur një gjuhë të matur, respekt institucional dhe përgjegjësi publike. Sipas tij, kjo qasje nuk përbën dobësi, por përfaqëson një lidership të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj demokracisë.
Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës nënvizoi edhe marrjen e përgjegjësisë për procese të rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, si dhe guximin për të mbajtur barrën e vendimeve të mëdha. Ai e vlerësoi po ashtu hapjen e Abdixhikut ndaj përfshirjes së profesionistëve jashtë strukturave partiake, duke përmendur edhe kandidimin e tij për kryetar të Kryeqytetit si shembull të këtij standardi.
Në fund, Rama vlerësoi mënyrën se si Abdixhiku e udhëhoqi procesin zgjedhor dhe pranimin me dinjitet të rezultatit, duke e cilësuar këtë si shprehje të respektit për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin politik të Abdixhikut, duke e cilësuar si një model lidershipi që ndërton dhe bashkon shoqërinë.
Postimi i plotë:
Në një moment sfidues për demokracinë dhe etikën publike, Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike.
Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale.
Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike. Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike.
Ai mori përgjegjësi për proceset e rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, duke dëshmuar se politika e përgjegjshme kërkon llogaridhënie dhe guxim për të mbajtur barrën e vendimeve të mëdha.
Vizionin e tij e dëshmoi edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për t’u shërbyer qytetarëve, duke përfshirë edhe kandidimin tim për kryetar të Kryeqytetit, si tregues i bindjes së tij se përgatitja profesionale, integriteti dhe kompetenca janë mbi ngjyrat politike. Ky është një standard që e afron politikën me shtetin e jo me interesin e ngushtë partiak dhe është per tu marr shembull.
Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve.
Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen.



