Përpjekja e 16 e LV-së për Haxhiun, sot

15 maj 2025 | 08:19

Sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:30. Kështu, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim të legjislativit.

Të martën është zhvilluar seanca e 15-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.

Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

Kryesuesi i seancës konstituive konstatoi se për kanë votuar 56 deputetë, ndërsa 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërkohë, neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kësaj gjykate i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

E, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të nisë më sot një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i politikës, Dritëro Arifi, ka folur rreth vizitës së…