Përplasen dy trena me shpejtësi të lartë në Spanjë, 24 të vdekur, 75 të lënduar
Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka goditur Spanjën. Dy trena me shpejtësi të lartë kanë dalë nga shinat në Andaluzí, pranë lokalitetit Adamuz, në provincën e Kordobës. Sipas të dhënave zyrtare të Guardia Civil, bilanci paraprak flet për të paktën 24 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Guvernatori i Andaluzisë, Juanma Moreno, ka konfirmuar se 75 persona janë shtruar në spitalet e rajonit, prej të cilëve 15 ndodhen në gjendje shumë të rëndë. Autoritetet bëjnë me dije se disa pasagjerë janë ende të bllokuar brenda vagonëve të përfshirë në aksident.
Sipas deklaratave të këshilltarit për Shëndetësinë të Andaluzisë, Antonio Sanz, të paktën dy ose tre vagona kanë rënë në mbushjen anësore të hekurudhës rreth pesë metra të thellë, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. Zjarrfikësit kanë arritur të hyjnë në një prej vagonëve, ku dyshohet se ka ende viktima.
“Situata është shumë e rëndë”, ka deklaruar Sanz, duke theksuar se numri i të plagosurve mund të arrijë në rreth 100, me disa prej tyre në gjendje jashtëzakonisht kritike.
Sipas rindërtimit paraprak, një tren i kompanisë Iryo, i nisur nga Malaga drejt Madridit (Puerta de Atocha) me 317 pasagjerë në bord, ka dalë nga shinat, ka hyrë në binarin ngjitur dhe është përplasur me një tjetër tren të linjës drejt Huelvës, me rreth 200 pasagjerë, duke shkaktuar daljen nga shinat edhe të këtij të fundit.
Ministri spanjoll i Transporteve, Óscar Puente, ka deklaruar se shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Ai ka theksuar se ngjarja është “e çuditshme”, pasi treni ishte pothuajse i ri dhe binarët ishin rinovuar së fundmi, me punime të përfunduara në muajin maj dhe një investim prej rreth 700 milionë eurosh. Aksidenti ka ndodhur gjithashtu në një segment të drejtë të linjës hekurudhore.
Momente dramatike janë përjetuar edhe nga familjarët e pasagjerëve. Në një dëshmi për televizionin publik spanjoll TVE, nëna e një vajze që udhëtonte në vagonin numër 4 ka treguar se e bija e telefonoi në gjendje shoku, duke i thënë se treni kishte dalë nga shinat dhe se kishte shumë të vdekur. Sipas saj, pasagjerët fillimisht ishin në errësirë dhe pa ndihmë, ndërsa vajza e saj tani ndodhet në qendrën e emergjencës.
Mbreti i Spanjës, Felipe VI, dhe Mbretëresha Letizia kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” për aksidentin e rëndë dhe kanë përcjellë ngushëllime për familjet e viktimave, si edhe urime për shërim të shpejtë për të plagosurit. Mesazhe solidariteti kanë ardhur edhe nga liderë të shumtë evropianë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani dhe presidentin francez Emmanuel Macron, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për popullin spanjoll në këtë moment tragjik.



