Përplasen PDK-VV për votimin e të akuzuarve në Hagë
Votimi i ish-krerëve të UÇK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ka ngjallur diskutime në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi propozoi një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët të cilët po gjykohen në Hagë. “Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Andaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vë komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra, modalitetin e dytë”, u shpreh ai. Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.
“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, tha ai.
Diskutimi mes Krasniqit e Elshanit ka shkuar edhe më tej, ku anëtari i LVV-së tha se nuk është e rregulluar çështja e votimit në Hagë. “Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht. Veç pak se po shpif publikisht, veç pak duro, zotëri! Je qëllimisht duke shpifur! Nuk ka! Absolutisht! Është votim jashtë vendit. Ti nuk je duke i shkuar çështjes deri në fund, por po mundohesh të nxjerrësh dikë që t’ia mundësosh e dikujt që të mos ia mundësosh”, u shpreh ai.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar se sa është numri i pakove me fletëvotime që janë dorëzuar te votuesit jashtë vendit. Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025. Po ashtu, është bërë akreditimi edhe i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.



